Këshilltari komunal i VLEN-it në Komunën e Likovës, Iljasa Abazi, ka kërkuar që seancat e Këshillit të Komunës të transmetohen drejtpërdrejt për publikun, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të ndjekin nga afër punën e përfaqësuesve të tyre, raporton OPEN-TV.
Abazi tha se këtë kërkesë e ka ngritur që në mandatin e tij të parë, madje që në seancën e parë, ndërsa e ka përsëritur edhe në mandatin aktual. Sipas tij, transparenca e punës së pushtetit lokal është e rëndësishme për forcimin e komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve.
Ai theksoi se transmetimi publik i seancave nuk duhet të shihet si problem edhe në rastet kur qytetarët mund të shprehin kritika ndaj punës së këshilltarëve apo komunës.
Sipas Abazit, edhe kritikat negative janë pjesë e komunikimit me qytetarët dhe mund të shërbejnë si bazë për përmirësimin e punës së institucioneve lokale.
“Duhet të bashkëpunojmë edhe me qytetarët për të realizuar dhe për të bërë vepra të mira, projekte të mira, që janë në favor të qytetarëve”, është shprehur Abazi.
Ai tha se, pavarësisht kërkesave të përsëritura, seancat e Këshillit të Komunës së Likovës ende nuk transmetohen publikisht, duke e cilësuar këtë si një çështje që duhet të adresohet nga autoritetet komunale.
Abazi theksoi gjithashtu se mediat duhet të kenë mundësi më të madhe për të ndjekur punën e Këshillit, duke vënë në dukje se në disa komuna të tjera seancat transmetohen, ndërsa në Likovë kjo praktikë ende nuk është vendosur.
Sipas tij, transmetimi i drejtpërdrejtë do të rriste transparencën dhe do t’u mundësonte qytetarëve të shohin vetë se cilat çështje diskutohen, cilat vendime merren dhe si përfaqësuesit e tyre qëndrojnë ndaj çështjeve me interes për komunitetin.
Këshilltari i VLEN-it ka përsëritur kështu kërkesën që seancat e Këshillit të Komunës së Likovës të jenë të qasshme për publikun përmes transmetimit të drejtpërdrejtë, si pjesë e një qasjeje më transparente të pushtetit lokal.







