Abdulselam Selami, këshilltar në Qytetin e Shkupit, ka reaguar përmes një statusi në Facebook lidhur me zbatimin e gjuhës shqipe në Komunën e Butelit, duke rikujtuar kompetencat dhe obligimet e Inspektoratit në rastet kur pengohet mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Selami është thirrur në nenet 21, 22 dhe 27 të këtij ligji, duke theksuar se institucionet janë të obliguara t’u mundësojnë inspektorëve qasje të papenguar në hapësirat dhe dokumentacionin që është objekt i mbikëqyrjes.
Sipas tij, në rast të pengimit të inspektimit, inspektori duhet të hartojë procesverbal dhe të evidentojë pengesat, faktet dhe rrethanat e rastit.
Ai gjithashtu ka rikujtuar se neni 27 parasheh gjoba prej 300 deri në 500 euro për personin juridik dhe prej 100 deri në 200 euro për personin përgjegjës, ndërsa procedura kundërvajtëse dhe shqiptimi i sanksioneve zhvillohen nga gjykata kompetente.
Në reagimin e tij, Selami ka ritheksuar se do të vazhdojnë angazhimet për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.
Ai ka rikujtuar gjithashtu përcaktimet kushtetuese për statusin zyrtar të gjuhës maqedonase dhe gjuhës që flitet nga së paku 20 për qind e qytetarëve, përkatësisht gjuhës shqipe, së bashku me alfabetet përkatëse.
“Vazhdojmë dhe nuk ndalemi deri në zbatimin e Ligjit për Gjuhët”, ka shkruar Selami në reagimin e tij në Facebook.







