Pas humbjes së thellë 0-3 ndaj Sllovenisë, reprezentuesi i Maqedonisë së Veriut, Visar Musliu, nuk e fshehu zhgënjimin për paraqitjet e Maqedonisë në Ligën e Kombeve.
Mbrojtësi me përvojë foli hapur për krizën e rezultateve dhe të lojës në të cilën ndodhet përfaqësuesja, duke theksuar se është e domosdoshme një analizë e detajuar dhe ndryshime për të përmirësuar situatën.
Maqedonia e Veriut e përfundoi aventurën në Ligën B të Ligës së Kombeve me gjashtë humbje dhe gol-diferencë 1:15, statistika që dëshmojnë periudhën e vështirë nëpër të cilën po kalon ekipi nacional.
Musliu pranoi se skuadra është larg nivelit të pritur dhe se prej një kohe të gjatë nuk po arrin të tregojë atë që kërkohet prej saj.
“Kjo është krizë rezultatesh dhe loje. Nuk treguam asgjë të mirë në fushë. Tashmë në dhjetë ndeshjet e fundit nuk po japim atë që duhet në fushë. Duhet të ndalemi dhe të reflektojmë për sjelljen tonë, për mënyrën se si luajmë. Kjo situatë duhet të përmirësohet.
Është e vështirë të nxjerrim diçka pozitive nga ky cikël. Kjo situatë duhet të analizohet në detaje dhe seriozisht, në mënyrë që të përmirësohemi”, deklaroi Visar Musliu.







