Maqedonia është e gatshme për dialog me Bullgarinë me qëllim tejkalimin e kontestit bilateral, por kërkon siguri në procesin e integrimit evropian dhe garanci se ndryshimet eventuale kushtetuese nuk do të shoqërohen me kushte të reja. Këtë mesazh e përcolli presidentja Gordana Siljanovska-Davkova gjatë shënimit të 35-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Maqedonisë.
Sipas presidentes, komunikimi me Sofjen mbetet i hapur, ndërsa paralelisht zhvillohen bisedime edhe me përfaqësues të Bashkimit Evropian për tejkalimin e pengesave në rrugën evropiane të Maqedonisë.
Siljanovska-Davkova theksoi se Maqedonia nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por rregulla të barabarta dhe parashikueshmëri në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ajo paralajmëroi se vendi nuk duhet të gjendet sërish në një situatë ku, pas përmbushjes së një kushti, do të pasojnë kërkesa të reja.
“Ne vetëm dëshirojmë që kjo të mos jetë edhe një ndryshime për hir të ndryshimit, pas së cilës do të pasojë një tjetër. Nuk duam të trajtohemi ndryshe nga të tjerët, thjesht duam të dimë se nëse diçka duhet, në thonjëza, të bëhet, ajo të mos jetë vetëm njëra nga shumë e shumë kërkesat e tjera”, deklaroi Siljanovska-Davkova.
Duke folur për zhvillimin kushtetues të shtetit, presidentja vlerësoi se Kushtetuta e Maqedonisë ka pësuar një numër të madh ndërhyrjesh gjatë tri dekadave e gjysmë të fundit. Sipas saj, deri më tani ajo është ndryshuar 36 herë, gjë që hap çështjen e nevojës për më shumë kujdes dhe analiza profesionale për çdo ndryshim të ardhshëm.
Në këtë drejtim, ajo i rekomandoi kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, që më shpesh të thërrasë Komisionin për Çështje Kushtetuese dhe në punën e tij të përfshihen edhe ekspertë të pavarur të së drejtës kushtetuese.
Në këtë aktivitet foli edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, i cili theksoi se Kushtetuta nuk duhet të shihet vetëm si akti më i lartë juridik, por edhe si bazë për stabilitetin, zhvillimin demokratik dhe kohezionin shoqëror.
“Prej nesh pritet që vazhdimisht të bëjmë vlerësimin dhe rishqyrtimin e marrëdhënies ndërmjet shtetit dhe realitetit shoqëror, nga njëra anë, dhe rregullimit kushtetues-juridik të vendit, nga ana tjetër. Nuk duhet të ndalemi së parashtruari pyetjen nëse kjo Kushtetutë dhe këto ligje kanë arritur të ndërtojnë një shtet koheziv”, theksoi Gashi.
Ai nënvizoi se sistemi kushtetues-juridik duhet të rishqyrtohet vazhdimisht në përputhje me ndryshimet shoqërore, duke ruajtur njëkohësisht vlerat demokratike dhe parimet mbi të cilat mbështetet shteti.
Kushtetuta e Maqedonisë u miratua më 17 nëntor të vitit 1991, disa muaj pas referendumit për pavarësi. Përbërja e parë parlamentare e miratoi atë me 92 vota për dhe 22 kundër, duke vendosur themelet e rendit kushtetues-juridik të Maqedonisë së pavarur.
Tridhjetë e pesë vjet më vonë, çështja e ndryshimeve të reja kushtetuese është sërish në qendër të debatit politik, këtë herë e lidhur drejtpërdrejt me vazhdimin e procesit të integrimit evropian dhe marrëdhëniet me Bullgarinë fqinje. përcjell Zhurnal.mk .







