Etem Xheladini
Këto ditë, me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dëgjuam politikanë nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, duke shkëmbyer urime madhështore, deklarata solemne dhe fjalime plot patriotizëm.
Por, përtej fjalëve të bukura, shtrohet një pyetje e pashmangshme: Çfarë kanë bërë konkretisht gjatë tri dekadave e gjysmë për ta ruajtur, restauruar dhe ngritur në piedestalin e merituar Shtëpinë e Alfabetit në Manastir. Është paradoksale që pikërisht më 22 Nëntor, kur politikanët shqiptarë vijnë në Manastir për të festuar këtë ditë historike, manifestimet zhvillohen në Shtëpinë e Kulturës, me muzikë e darka festive, ndërsa objekti ku u hodhën themelet e alfabetit tonë mbetet në një gjendje që kërkon vëmendje dhe ndërhyrje serioze.
A mund të kremtohet me dinjitet trashëgimia kombëtare, duke e lënë pas dore vetë tempullin ku u shkrua njëra prej faqeve më të rëndësishme të historisë sonë.
Ku janë përgjegjësitë institucionale të Shqipërisë, Kosovës dhe të institucioneve shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ku është bashkëpunimi kombëtar, përtej kufijve partiakë dhe shtetërorë, pse nuk është shndërruar ky objekt në një qendër të mirëfilltë muzeale, kulturore e studimore, me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare.
Nuk mjaftojnë kurorat, fotografitë, fjalimet dhe urimet njëditore. Nuk mjafton të përmendet Kongresi i Manastirit i vitit 1908, ndërkohë që trashëgimia e tij kërkon përkujdesje, investime dhe përgjegjësi të përhershme. Në veçanti, politikanët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut duhet të japin llogari për angazhimin e tyre institucional.
Përgjegjësia nuk mund të fshihet pas ndërrimit të pushteteve, sepse kaluan qeveri, ministra e mandate të shumta, ndërsa nevoja për ta trajtuar këtë monument si pasuri të përbashkët kombëtare mbetet aktuale.
22 Nëntori nuk duhet të jetë vetëm një datë për fotografi, protokolle, muzikë dhe tryeza festive. Ai duhet të jetë ditë reflektimi, përgjegjësie dhe veprimi konkret. Sepse një komb që feston alfabetin, por nuk kujdeset për shtëpinë ku u hodhën themelet e tij, duhet të reflektojë thellë mbi kuptimin e patriotizmit.
Historia nuk nderohet me fjalë, por me vepra. Shtëpia e Alfabetit nuk ka nevojë për më shumë urime, por për dinjitet, restaurim, investime dhe një status të merituar kombëtar e ndërkombëtar.








