9 shkurt – “Nuk e harroj Tetovën dhe Shkëndijën”. Kështu thotë Albert Haxhija nga Vlora, ish sulmues i kuqezinjve nga Tetova (sezoni 1991-93), në një intervistë për Open-TV.
Vlonjati ka rrëfyer për kohën e dikurshme te Shkëndija.
“Në sezonin 1991/92 luanim me Fortunën e Hasanbegut dhe fituam 5-1. Pata shënuar një gol. Ishin vite të bukura, sepse kishte dashuri për futbollin. Nuk ishte primare leku, kishte futbollistë që luanin për 100 marka. Luanin me zemër për Shkëndijën. Ishte ekip pa asnjë të huaj, ishte ekip etnikishtë i pastër. Kam luajtur 25 vjet futboll, por do ta mbajë mend Tetovën dhe Shkëndijën”, thotë Haxhija, sot 60 vjec, për Open-TV.
Haxhija, i cili sot jeton në Vlorë, me respekt të madh flet edhe për njerëzit në Tetovë.
“Njerëzit ishin shumë dashamirës dhe sportëdashës. Ndoshta ishte dhe koha por prap ishin futbolldashës me zemër të madhe që e bënin gjithë atë qytet të jetonte me futbollin. Kam kujtime shumë të bukura dhe shokë shumë të mirë atje që flas pothuajse përditë”, kujton ai, i cili shton se edhe sot e ndjek Shkëndijën përmes shtypit.
Albert Haxhija sot punon si mësues i edukatës fizike në gjimnazin e Orikumit në Vlorë dhe është drejtor i KF Orik, duke stërvitur grupmoshat U13 dhe U17./Open-TV/