Armando Broja shënoi gol në derbin me Fulham dhe u zëvendësua në minutën e 65’duke dalë nga fusha i shoqëruar nga mjekët. Kjo situatë krijoi fillimisht shqetësim te Chelsea dhe Kombëtarja, por pas ndeshjes ishte vetë lojtari, i cili qetësoi të gjithë.
Broja deklaroi për “Radio Talksport” se dalja e tij ishte për ta mbrojtur, pasi ndjehej pak i lodhur. Ai dha një mesazh edhe në faqen zyrtare të Chelsea.
“Rikuperimi nga dëmtimi ishte një rrugë e gjatë, por më në fund jam kthyer në fushë. Arrita të shënoja dhe të fitonim dhe kjo e bën më të bukur”, është shprehur Armando Broja.
22-vjeçari u kthye në fushë pas 10 muajsh për shkak të dëmtimit të rëndë që pësoi Dhjetorin e kaluar. Armando Broja e nisi si titullar takimin me Fulham, ndërsa pak ditë më parë luajti disa minuta si zëvendësues ndaj Aston Villa.
Sulmuesi i Chelsea kthehet të luajë pak ditë para ndeshjes së rëndësishme që ka Shqipëria me Çekinë e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Një rezultat pozitiv me këtë rival do ta afronte Kombëtaren me fazën finale të turneut. Takimi i 12 Tetorit Shqipëri-Çeki do të transmetohet si zakonisht në Tv Klan. / Tv Klan