E mërkura do të sjell derbin shqiptar në Superligën e Maqedonisë së Veriut. Shkëndija dhe Struga Trim Lum do të përballen ndërmjet veti për ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë, e cila ishte e programuar për më 13 gusht, por e njëjta u shty me kërkesë të struganëve për shkak të paraqitjeve të tyre në arenën Evropiane.
Nga tabori i kampionëve në fuqi, para kësaj sfide, ka folur Besmir Bojku, i cili jep vlerësim dhe respekt maksimal për Shkëndijën, por thotë që ai dhe ekipi i tij në Tetovë shkojnë për fitore.
“Sigurisht se nesër na pret një ndeshje e vështirë kundër një skuadre cilësore, siç është Shkëndija, por me gjithë respektin për kundërshtarin, Struga Trim Lum edhe në këtë ndeshje shkon për fitore, pavarësisht se kemi zhvilluar çdo 3 dit ndeshje. Mendoj se motivi është më i madh se lodhja në këto ndeshje të rëndësishme dhe me rival të mëdhenj, me të cilët besoj se do të luftojmë sërish për titullin e kampionit”, ka thënë Besmir Bojku.
Shkëndija aktualisht ndodhet në pozitën e dytë në renditje me 17 pikë të tubuara, një më pak se Shkupi që kryeson tabelën, përderisa Struga renditet e katërta me 15 pikë.
Derbi ndërmjet Shkëndijës dhe Strugës do të zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit të Tetovës, duke nisur nga ora 14:00./Telegrafi/