Nëse e dëshironi një titull futboll në Ligën e Parë të Maqedonisë, atëherë sillni Besart Ibrahimin, “mbretin e golave” në ekipin tuaj dhe do ta keni titullin.
Besarti shënoi edhe sot një gol ndaj Sileksit, gjithsej 18 këtë sezon dhe nuk ka dyshim se do të jetë sërish golashënuesi i parë në një sezon në LPFM.
Pas ndeshjes, Ibrahimi nuk e ka fshehur gëzimin për “Sportmedia”.
“Është në rregull, jam shumë i lumtur. Ky është titulli im i pestë në LPFM, një me Renovën, tre me Shkëndijën dhe tani me Strugën TL. Mendoj se jemi kampionë të merituar, kemi qenë më të mirët gjatë gjithë sezonit, që nga turi i parë jemi kryesues të tabelës dhe kështu do të përfundojmë të parët. Faleminderit tifozëve tanë që erdhën sot në numër të madh për të festuar titullin me ne. Faleminderit bashkëlojtarëve të mi, sigurisht drejtuesve të klubit dhe të gjithëve që ishin me ne këtë sezon, që ishin pjesë e ekipit. Tani është koha për të festuar”, tha Ibraimi, i cili në sezonin e tij të parë si anëtar i Strugës është pjesë e historisë së klubit.
Në festën e sotme kishin ardhur edhe prindërit dhe vajzat e tij. Dhe, natyrishtë një fotogafi kujtimi nuk kishte se të mungonte.
“Jemi shumë të lumtur dhe të gëzuar me suksesin e FC Struga Trim Lum dhe të djalit tonë”, tha Gani Ibraimi, babai i Besart Ibraimit për Open-TV.