E mërkura do të sjell derbin shqiptar në Ligën e Parw tw Maqedonisë së Veriut. Shkëndija dhe Struga Trim Lum do të përballen ndërmjet veti për ndeshjen e mbetur të xhiros së dytë, e cila ishte e programuar për më 13 gusht, por e njëjta u shty me kërkesë të struganëve për shkak të paraqitjeve të tyre në arenën Evropiane.
Tek Shkëndija pas barazimit me Gostivarin në fundjavë, dëshirojnë të rikthehen të fitorja dhe me një triumf eventual marrin sërish kreun e renditjes. Endrit Krasniqi thotë se do të provojnë të marrin maksimumin nga ky duel.
“Brenda ekipit ekziston një atmosferë shumë e mirë, besoj se të gjithë përkrahim njëri tjetrin. Tash na pret një ndeshje që është dashur të zhvillohet më herët dhe neve na mbetet të provojmë të marrim maksimumin nga ky duel. Jemi lartë në tabelë dhe kemi qëllime të qarta për titullin kampion ta sjellim në Tetovë. Shpresojmë ta fitojmë këtë ndeshje të mbetur dhe të dalim në vendin e parë”, shprehet Endrit Krasniqi.
Shkëndija aktualisht ndodhet në pozitën e dytë në renditje me 17 pikë të tubuara, një më pak se Shkupi që kryeson tabelën, përderisa Struga renditet e katërta me 15 pikë.
Derbi ndërmjet Shkëndijës dhe Strugës do të zhvillohet nesër në stadiumin e qytetit të Tetovës, duke nisur nga ora 14:00./Telegrafi/