Në Maqedoninë e Veriut përpos që nuk ndihmohen bizneset, ata edhe kur dëmtohen pa faj nuk u ofrohet ndihma dhe përkrahja e nevojshme nga institucionet përgjegjëse. Kur dëmi ndodhë kërkohet zgjidhje, në vend të zgjidhjes ofrohet “shëtitje” vërdallë institucioneve duke larguar secili fajin prej vetes. Lokacioni “Garnizon” është vendi pothuajse më i frekuentuar në qytetin e Kumanovës, lartë ka banesa banimi në katet poshtë janë kafenetë dhe bizneset e ndryshme. Përderisa, kemi të bëjmë me ndërtime të vjetra problemet me ujë e kanalizim janë të pritshme, një gjë e tillë me ditë të tëra po shqetëson pronarët e 18 bizneseve të ndryshme të cilët nuk mund të punojnë përshkak të mungesës së rrymës. Redaksia jonë ka kontaktuar me njërin prej pronareve të bizneseve që tashmë e katërta ditë janë të mbyllura, ai sqaroi konkretisht problemin dhe shprehu zhgënjimin e tij që është duke u dëmtuar çdo ditë e më shumë materialisht. Gjithashtu, Zhurnal ka kontaktuar edhe me kompaninë që është përgjegjëse për mirëmbajtjen e ndërtesës, nga atje thonë që nuk është në kompetenca të tyre zgjidhja e këtij problemi. Mbase, për dikë mund të duket e parëndësishme fakti që disa lokale me ditë të tëra po qëndrojnë të mbyllura, por në realitet kjo qasje po mbyllë shumë dyer shtëpish duke braktisur vendin, sepse secili i ri po ndjehet i braktisur nga institucionet e vendit, shkruan Zhurnal.
Në Kumanovë 18 lokale me ditë të tëra qëndrojnë të mbyllura si pasojë e mungesës së rrymës, problem që po shkakton dëmtime të bizneseve-
Pronari i studios së floktarisë, “Buki Studio”, Burim Memeti është dëmtuar në lokalin e tij si pasojë e plasjes së disa gypave dhe zënies së kanalizimit, me çka është dëmtuar orëmatësi i rrymës dhe që katër ditë ka ngelë pa rrymë edhe lokali i tij është i mbyllur, por nuk është i vetmi pasi përpos tij, në të njëjtën gjendje janë edhe 17 biznese të tjera që kanë ndërprerë punën e tyre.
Në prononcimin e tij për Zhurnal ai theksoi se është në hallë të madh pasi ditët po kalojnë problemi nuk po zgjidhet, edhe përkundër faktit që rastin e kanë lajmëruar në EVN, në Inspektorat si dhe në kompaninë që është përgjegjëse për mirëmbajtjen e ndërtesës, pra kudo që ka qenë e nevojshme.
“Një nga banesat që janë sipër lokalit që unë punojë kanë pasur problem me kanalin e ujit dhe uji ka depërtuar në orëmatësin e rrymës. Për shkak të ndërprerjes së rrymës nuk mundemi të punojmë. Jemi ankuar te mbikëqyrësi i banesave, ne Inspektorat, në EVN, e gjithkund tjetër por ende problemi nuk është zgjidhur. Por, sa më shumë po zgjatë kjo zvarritje aq më shumë po dëmtohemi si biznese materialisht sepse është e katërta ditë që lokalet tona janë të mbyllura”, tha Burim Memeti, pronar i biznesit, për Zhurnal.
Nga kompania që janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e ndërtesës “Vektor Plus”, për Zhurnal thanë që nuk është në kompetenca të tyre mirëmbajtja e lokaleve, sipas marrëveshjes kjo kompani është përgjegjëse për mirëmbajtje vetëm të banesave në katet lartë dhe pjesën hyrëse. Ndërkaq, në pyetjen se çfarë kanë ndërmarrë në këtë situatë të krijuar ata përgjigjen që kanë bërë edhe më shumë se çfarë është në kompetencat e tyre.
“Ne si kompani kemi marrë përsipër sajimin e problemit që ka qenë në lidhje me ujin duke angazhuar punëtorë nga ujësjellësi për tre ditë shpenzimet i ka mbuluar kompania jonë, pastaj kemi thirrur në vendngjarje edhe Inspektoratin përgjegjës për banesa, si dhe kemi shkruar letër me shkrim deri te EVN që të marrin masa të rregullojnë problemin me rrymën, por për lokalet që janë dëmtuar nuk kemi ne marrëveshje që të mbulojnë shërbimet tona”, thanë nga kompania “Vektor Plus”, për Zhurnal.
Megjithatë, pritet që në ditët në vijim sa më parë të zgjidhet problemi dhe lokalet e mbyllura të hapen e të vazhdojnë me punë, sepse kemi të bëjmë me një problem që nuk kërkon procedura të komplikuara thjesht intervenim i duhur nga përgjegjësitë kryesorë, që gjithçka të rregullohet.
Në Maqedoninë e Veriut sa është e vështirë të hapësh një biznes edhe njëherë më shumë se kaq është e vështirë të mbash në jetë atë biznes. Sepse, kur dëmtohesh nga çfarëdo qoftë nuk të ofron askush ndihmë për zgjidhjen e problemit dhe evitimin e dëmit. Mbase, për dikë mund të duket e parëndësishme fakti që disa lokale me ditë të tëra po qëndrojnë të mbyllura, por në realitet kjo qasje po mbyllë shumë dyer shtëpish duke braktisur vendin, sepse secili i ri po ndjehet i braktisur nga institucionet e vendit. /Zhurnal.mk