Numri i të vdekurve nga dy tërmetet shkatërruese që goditën dje Turqinë jugore dhe Sirinë veriperëndimore është rritur në më shumë se 5100, me dhjetëra mijëra të plagosur.
Tërmetet lanë mijëra njerëz të pastrehë, ndërsa blloqe të tëra banesash u rrafshuan me tokë.
Ekipet e shpëtimit po bëjnë një garë me kohën. Numri i të vdekurve po rritet me shpejtësi. OBSH vlerësoi më herët sot se numri i të vdekurve mund të rritet në 20,000.
Përveç pasgoditjeve, ekipet e shpëtimit kanë një luftë të madhe edhe me të ftohtin. Njerëzit janë bllokuar nën rrënoja ku rrezikohen të vdesin nga të ftohtit, uria apo lëndimet.
Një nga fotot më tronditëse vjen nga qyteti Kahramanmaras i shkatërruar nga tërmeti. Mesut Hancer po mban për dore vajzën e tij pesëmbëdhjetëvjeçare. Ajo shtrihet e vdekur në shtrat, e “varrosur” nën rrënoja. E pamundur të nxirret.