Pas ceremonisë zyrtare në kishë, me një rreth të ngushtë njerëzish afër, te dasma e njërit prej sulmuesve më të shquar në historinë e futbollit. “Fenomeni” dhe gruaja e tij e re, Celina Locks, janë martuar me një ceremoni madhështore dhe të ftuar të shumtë në Ibiza. Kjo ngjarje e shënuar për R9 ishte njëherazi njëlloj parade yjesh mes të ftuarve.
Martesa – Legjenda e futbollit dhe presidenti i klubit të Segunda Division, Real Valladolid Ronaldo Nazário u martua me modelen, ndikuesen, sipërmarrësen dhe filantropisten Celina Locks. Të dy u takuan në vitin 2015 në një festë me kostume të një miku të përbashkët, në përputhje me personalitetin e tyre. Celina ishte me një kostum të ndezur metalik dhe Ronaldo me rroba të rregullta. Më pas, çifti brazilian u fejuan në janar 2023 në Punta Cana të Republikës Domenikane, ndërsa ishin me pushime.
Ceremonia e tyre e dasmës filloi të hënën, më 25 shtator, me një shërbim fetar privat në një kishë të vogël në fshatin Es Cubells në ishullin Ibiza, ku ata kanë një shtëpi. “Ishim vetëm me familjet, shoqëruesit e nuses dhe dhëndrit”, – thotë Celina.
Për ceremoninë e saj intime me ish-sulmuesin e Real Madridit dhe Interit, nusja kishte veshur një fustan prej mëndafshi të fildishtë nga ‘Jacquemus’, ndërsa flokët i kishte stiluar me valëzime të buta. Pasi recituan zotimet e tyre, të sapomartuarit dolën nga kisha dhe u pritën me brohoritje.
Atë ditë, çifti organizoi një ‘Festë të Bardhë’ në ‘Jondal Beach Club’, për t’i mirëpritur mysafirët e shumtë dje, në ceremoninë e madhe në ishull. Për këtë, Celina kishte veshur një fustan slip të ‘Victoria Beckham’, bizhuteri ‘Tiffany & Co’, si dhe këpucë ‘René Caovilla’.
Të premten, më 29 shtator, një pjesë e ceremonisë martesore u mbajt në shtëpinë e çiftit. “Unë isha e përfshirë në çdo pjesë të procesit të planifikimit, – thotë Celina, duke vënë në dukje se ka punuar me Silvia Nistal e ‘Silvia Nistal Events’ për të planifikuar ngjarjen me 300 të ftuar. – Ronaldo dhe unë kombinuam gjithçka që kemi dashur gjithmonë për ta bërë ceremoninë tonë më të veçantët e mundshme”.
Për ‘look’-un e saj të ceremonisë, Celina veshi një fustan të bardhë mëndafshi nga ‘Armani’. Ronaldo veshi një kostum të qepur nga linja e bërë sipas masës së ‘Giorgio Armani’ në një mëndafsh të larë në ngjyrë rëre, duke e kompletuar pamjen me një bluzë në të njëjtën pëlhurë dhe këpucë kamoshi ngjyrë rëre.
Ronaldo dhe ‘Armani’ punuan për herë të parë së bashku në vitin 1998, kur ylli i futbollit luante për Interin në Milano. “Për herë të parë e takova zotin Armani në Paris, rreth vitit 2010, – kujton Celina. – Dhe që atëherë miqësia jonë është rritur me dashuri”.
“Ka një lloj dashurie që nuk kërkon koment, vetëm ndjeshmëri dhe ndjenjë, – tha për çiftin Giorgio Armani, i cili krijoi të gjitha pamjet e dasmës. – Martesa e Ronaldos me dashurinë e jetës së tij është shkak për emocion dhe shpresë të madhe. Sepse në fund të fundit dashuria është forca e vërtetë lëvizëse e jetës”.
Një ceremoni në shtëpi ishte zgjedhja e qartë si për Celina, ashtu edhe Ronaldon. “Është një vend kaq i rëndësishëm për ne, – shpjegon Celina. – Kemi kujtime të bukura këtu, sepse është vendi ku kalojmë gjithë verën me gjithë familjen tonë. Ishte një ditë e veçantë, me miqtë dhe familjen tonë më të ngushtë. Ftuam të gjithë ata që janë pjesë e historisë sonë dhe krijuam momente edhe më të mahnitshme gjatë ceremonisë”.
“Ceremonia ishte vërtet e bukur, – shton Ronaldo. – Isha i rrethuar nga njerëz të dashur dhe çdo moment ishte i mbushur me surpriza të paharrueshme. Ndarja e të gjithave me Celina e bëri atë edhe më të veçantë. Duke e parë atë duke ecur nëpër korridor bëri që zemra ime të rrihte gjithnjë e më shpejt”.
“Dasma përkoi me një hënë të plotë rrezatuese, – kujton Celina. – Ndërsa dielli perëndonte, qielli pikturoi një gradient mahnitës me nuanca blu, rozë dhe vjollcë. Ishte një nga ditët më të bukura të jetës sime; një ëndërr e vërtetë e realizuar. Ishte befasuese të shihje të gjithë njerëzit që duam të festonin dashurinë tonë me ne”.