Hendbollistja nga Kosova pranoi ofertën e drejtuesve të WHC ÇAIR- it, duke vendosur të braktis klubin e Prishtinës, për të nënshkruar kontratë profesionale me skuadrën që sezonin e ardhshëm do të luajë në tri kompeticione edhe atë në edicionin e European EHF Cup, Super Ligën e Maqedonisë dhe ndeshjet në Kupën e Maqedonisë.
Bëhet fjalë për një hendbolliste të talentuar, e cila në bazë të moshës dhe fizikut pritet të ketë një të ardhme të sigurt.
“Jam shumë e lumtur që bëhem pjesë e një skuadre si WHC ÇAIR. Për mua është kënaqësi që më jepet shansi të vij këtu dhe të jem e vetmja hendbolliste nga Kosova që do të luaj në Super Ligën e Maqedonisë. Do të punoj shumë për të shpërblyer besimin e klubit. E di se konkurrenca është e madhe dhe se te Çairi kërkohet shumë punë, por kam pranuar këtë sfidë me dëshirë dhe bindje se do të jap më të mirën”, – u shpreh Klea, pasi firmosi zyrtarisht kontratën me klubin e Çairit.
Klea është vetëm 18-vjeçe, mirëpo ajo pas vetes numëron ndeshje të luajtura me ekipin e seniorve të Prishtinës dhe është pjesë e reprezentacionit të Kosovës për moshat e reja.