Drejtori i Agjencisë, Refik Xhemaili, realizoi takim me drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Durim Zeqiri, së bashku me anëtaren e Bordit Drejtues, Qanije Selimi.
Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i mundësive për vendosjen e bashkëpunimeve të reja, me fokus mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik përmes sektorëve strategjikë si energjia, teknologjia e informacionit, bujqësia dhe industria e metaleve.
Gjatë bisedimeve u theksua rëndësia e Ligjit për mbështetjen financiare të investimeve, ku nga të dyja palët u shpreh nevoja e rishikimit të tij me qëllim të përmirësimit të efikasitetit të masave për stimulimin e investimeve. U diskutuan edhe ndryshimet e mundshme që do ta bëjnë ligjin më fleksibil dhe në përputhje me trendet aktuale ekonomike dhe nevojat e investitorëve vendas dhe të huaj.
Gjithashtu, në takim u diskutua për mundësinë e iniciativave të përbashkëta ndërmjet Agjencisë dhe OEMVP me qëllim të promovimit më të mirë të kapaciteteve eksportuese të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në rajonin e Evropës Perëndimore.







