Me një prezencë madhështore dhe atmosferë festive, Dega e Lidhjes Shqiptare në Kërçovë mbajti Kuvendin Zgjedhor, në të cilin u zgjodhën drejtuesit e rinj të strukturës lokale.
Me mbështetje unanime të kuvendarëve, për Kryetar i Degës së Kërçovës u zgjodh Dr. Gëzim Nebiu, specialist i mjekësisë familjare, një aktivist që nga themelimi i partisë dhe i dëshmuar në aktivitetin politik e Kombëtar. Pos kryetarit në Kuvendin e sontëm u zgjodh edhe Kryesia e Degës.
Punimet e Kuvendit të Degës së Kërçovës nga afër i ndoqi edhe Kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, i cili mes tjerash theksoi se Kërçova për shqiptarët në përgjithësi dhe subjektin tonë në veçanti, nuk është vetëm një qytet apo një degë, por kauzë Kombëtare në vete dhe një plagë që sot lëngon në zemrën e çdonjërit prej nesh. Kryetari Sela bëri thirje për mobilizim sa më të madh të shqiptarëve në Kërçovë dhe jo vetëm, për të rikthyer dinjitetin Kombëtar dhe për të shpëtuar proceset të cilat goditen për çdo ditë nga estabilishmenti aktual politik.
Me një fjalë rasti kuvendarëve dhe mysafirëve të pranishëm ju drejtua edhe kordinatori i zonës, Remzi Mehmedi, potencoi rëndësinë e ngritjes së Lidhjes Shqiptare veçanërisht në Kërçovë, si faktor i rëndësishëm për mbrojtjen dhe ngritjen e shqiptarëve në këtë komunë dhe në çdo vendbanim tjetër. Mehmedi rikujtoi se në kohën kur subjekti ynë, si Aleanca për Shqiptarët dikur ka qenë e fuqishme, në Kërçovë kanë udhëhequr shqiptarët, andaj ai ftoi të gjithë të pranishmit dhe çdo shqiptar për angazhim të shtuar që të ringritet subjekti dhe të rikthehet Kërçova.
Kryetari i posazgjedhur i degës, Gëzim Nebiu, falenderoi të pranishmit për mbështetjen duke shtuar se detyra e re për të paraqet përgjegjësi dhe mision Kombëtar. Ai falenderoi për besimin çdo kuvendar dhe çdo bashkëpunëtor duke u zotuar se bashkë me ta do të vazhdojnë punën për të forcuar zërin dhe kauzën Kombëtare në qytetin e Uskanës.
Të pranishëm në këtë kuvend ishin edhe anëtarë të Kryesisë, Zulfi Adili – Qufa, Tiron Jajaga, Driton Nebiu.






