Deputetja e VLEN-it, Mimoza Musa ka qenë pjesë e delegacionit të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Konferencën e tretë ndërkombëtare të mbajtur në Ashgabat të Turkmenistanit me fokus avancimin e së drejtës ndërkombëtare, dialogut, besimit dhe sigurisë në rajonin e OSBE-së.
Musa e ka vlerësuar këtë pjesëmarrje si një mundësi të rëndësishme për përfaqësimin e vendit në arenën ndërkombëtare, shkëmbimin e përvojave me përfaqësues parlamentarë nga vende të ndryshme dhe kontributin në dialogun ndërkombëtar.
“Besoj se diplomacia parlamentare ka rol të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve, ndërtimin e besimit dhe avancimin e vlerave demokratike”, ka thënë Musa.
Përmes këtij angazhimi, deputetja e VLEN-it nënvizon rëndësinë e përfaqësimit aktiv të Maqedonisë së Veriut në platformat ndërkombëtare dhe të kontributit institucional në çështjet me rëndësi globale.
“Përfaqësimi i vendit në këto platforma është përgjegjësi institucionale, por edhe mundësi për të dhënë kontribut në çështjet që tejkalojnë kufijtë kombëtarë”, thekson deputetja Musa.






