Barazimi fantastik 2-2 i Shkupit kundër Dinamos në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit, është një rezultat i shkëlqyeshëm që të martën e ardhshme stadiumi Arena në Shkup të mbushet plot me tifozë të futbollit, shkruan Open-TV.
Mbrojtësi Xhelil Abdullai për Open-TV deklaroi se edhe përkundër këtij rezultati shumë të mirë, Dinamo prap është favorit, por shton se megjithate futbollit asnjëherë nuk i dihet.
Abdullai pret mbështetjen e madhe të Shvercerëve në stadium dhe lojë të mirë.
“Po normal gjithë e dimë se kush është Dinamo, por mendoj se treguam karakter të gjithë lojtarët treguam karakter, dhe dolëm me një rezultat pozitiv. Tash na pret ndeshje kthyese, ku mendoj se ata sërish janë favorit, kanë skuadër shumë të mirë, lojtarë cilësor, por futbollit nuk i dihet. Mendoj se Dinamo nuk do ta ketë lehtë, sepse me mbështetjen e tifozëve do të bëjmë cmos që të kalojmë në raundin tjetër. Presim mbështetjen e tifozëve Shvercerat dhe shpresojmë se në stadium do të ketë shumë tifozë”, ka deklaruar mbrojtësi Xhelil Abdulla për Open-TV.







