Analisti i njohur nga Kumanova, Blerim Hyseni për Open-TV ka komentuar zhvillimet e fundit në fshatin Banjskë të Zvecanit në veri të Republikës së Kosovës.
Ai është i mendimit se zhvillimet e fundit dhe administrimi i tyre me mjaft syçelësi dhe vigjilencë nga ana e institucioneve të Kosovës dëshmuan se Kosova, por edhe rajoni ka një shtet.
“Më në fund u vërtetuan pretendimet e institucioneve të Kosovës se Serbia është aktori kryesor i të gjitha zhvillimeve në Kosovë që kanë ndodhur për vite te tëra në Kosove e që kohëve të fundit disa përfaqësues të Bashkësisë Ndërkombëtare filluan ta fajësojnë Kosovën duke arritur aq larg sa ndërmorën edhe masa sanksionuese për Kosovën! Mendoj që zhvillimet e fundit dhe administrimi i tyre me mjaft syçelësi dhe vigjilencë nga ana e institucioneve të Kosovës dëshmuan se Kosova, por edhe rajoni ka një shtet sic është Serbia që ka nxitur disa lufta në Ballkan dhe qëllimet e saja hegjemoniste janë gjallë, dhe bashkëpunimi Serbi -Rusi është i pa diskutueshëm edhe përkundër përkëdheljes nga disa diplomat që po i bëjnë Serbisë kohëve të fundit”, tha ai.
Hyseni vlerëson se pas këtyre zhvillimeve Kosova është në pozitë më të mirë përballë Serbisë dhe se Bashkësia Ndërkombëtare duhet t’i qaset më seriozishtë dialogut.
“Vlerësoj se pas këtyre zhvillimeve Kosova ka pozitë më të mirë përballë Serbisë dhe Bashkësia Ndërkombëtare duhet të merret seriozisht me dialogun në mënyrë që Serbisë t’i imponohet zgjidhje sepse vullnet për të pranuar zgjidhje nga ana e Serbisë jo vetëm që nuk ka, por s’do të ketë edhe për një kohë të gjatë. Tanimë rol kyç dhe kryesor duhet të luaj faktori ndërkombëtar në mënyrë që mos të përsëriten zhvillime të këtilla që kërcënojnë rajonin e që në këtë rast i konvenon vetëm Rusisë dhe Serbisë”, u shpreh analisti Blerim Hyseni për Open-TV.