Driton Sulejmani: Sot pata kënaqësinë që, në cilësinë e Zëvendësministrit të Arsimit dhe Shkencës, me fetsë të rektorit të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Prof.Dr.Kushtrim Ahmetit, të jem pjesë e Edicionit Jubilar të 20-të të Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, organizuar nga Universiteti i Tetovës.
Ky jubile shënon dy dekada të përkushtimit ndaj studimit të gjuhës, letërsisë, historisë dhe kulturës shqiptare, duke e shndërruar Seminarin në një hapësirë të rëndësishme të dialogut akademik, shkëmbimit të dijes dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Prania e personaliteteve të shquara akademike i dha këtij jubileu një rëndësi të veçantë. Me kënaqësi veçoj praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Skënder Gjinushi, si dhe të profesorëve, akademikëve dhe studiuesve nga institucione të ndryshme.
Në fjalën time theksova rëndësinë e investimit në kërkimin shkencor, në gjeneratat e reja të studiuesve dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit mes universiteteve dhe qendrave kërkimore brenda dhe jashtë vendit.
Albanologjia është një fushë e gjallë e kërkimit shkencor. Ajo që ruajmë si trashëgimi, duhet ta studiojmë, ta zhvillojmë dhe t’ua përcjellim brezave të rinj përmes dijes dhe punës akademike.







