3 maj – Nën përkujdesjen e trajnerit të tij të karatesë, Mislim Imeroski, talenti i ri shqiptar i karatesë, Fatlind Osmani maksimalishtë po përgatitet për të marrë pjesë në turneun e hapur ndërkombëtar për juniorë në Kategorinë U14 në karate (Swiss Junior Open 2022), i cili do të zhvillohet me 8 maj (e diel) në qendrën sportive Rankhof në Basel të Zvicrës.
Në këtë turne do të marrin pjesë shkolla të karatesë nga shumë vende të Evropës dhe Azisë, shkruan Open-TV.
Fatlind Osmani është i lindur më 26 qershor të vitit 2008 në Oberriet të kantonit të St. Gallenit në Zvicër. Ai prindërit i ka nga Kumanova.
Fatlindi është pjesë e shkollës së karatesë “Karateschule Altsätten”.
“Fatlind Osmani stërvitet në shkollën e karatesë Altsätten të Zvicrës. Me karate merret nga mosha tetëvjecare, kurse tani i ka 14 vjet jo të plota. Fatlindi ka marrë pjesë në shumë turne rajonal, kombëtar dhe ndërkombëtar në Zvicër dhe jashtë saj, duke u kthyer me medalje të shumta. Ai para se gjithash lufton shkëlqyeshëm, guximshëm dhe posedon reagime fantastike gjatë luftës, gjithashtu është edhe teknik i madh. Në këtë turnir nga Fatlindi pres të jap maksimumin nga vetja dhe të fitoj medalje”, ka deklaruar për Open-TV trajneri i tij Mislim Imeroski, (Dan 5, me diplomë shtetërore).
Dy javë më vonë më 22 maj, Fatlindi do të marrë pjesë në një turne të madh në Ligën e Zvicrës, me pjesëmarrje të të gjitha shkollave të karatesë nga e gjithë vendi. Ai turnir është i kuotuar lartë.
Ndryshe, Fatlind Osmani edhe pse shumë i ri, ai deri tani ka fituar mbi 30 medalje. Ai posedon edhe brezin me ngjyrë kafe. Në 2019-ën zuri vendin e tretë në Zvicër. Në turnet e zhvilluara në Zvicër, Gjermani dhe Austri, ai çdoher ka dalë i pari nga garuesit zvicerian.
Për sukseset e tij kanë shkruar edhe mediat lokale në Zvicër. /Open-TV/