Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka akuzuar sot Federatën e Futbollit të Serbisë se ka varur një pankartë politike për Kosovën në dhomën e zhveshjes së kombëtares së saj para ndeshjes kundër Brazilit në xhiron e parë të Kupës së Botës.
Një flamur serb me hartën e Kosovës dhe mbishkrimin “Nuk u dorëzuam” është varur të enjten në dhomën e zhveshjes së ekipit serb.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, është ankuar në FIFA për atë flamur dhe ka deklaruar se Kupa e Botës po përdoret për të promovuar “mesazhe ksenofobike, gjenocidale dhe urrejtjeje ndaj Kosovës”.
FIFA citoi një pjesë të kodit të saj disiplinor që mbulon sjelljen e pahijshme, duke përfshirë “gjestet fyese, shenjat ose gjuhën” dhe promovimin e çështjeve josportive.
Federata Botërore e Futbollit nuk ka treguar se kur do ta shpallë vendimin dhe Serbia do të luajë kundër Kamerunit në raundin e dytë të Kupës së Botës të hënën në orën 11:00.