Bora dhe era e fortë, e cila paralizoi Slloveninë dhe shkaktoi probleme në komunikacion dhe furnizim me energji elektrike, do të lëvizë në jug dhe do të arrijë në Maqedoni këtë fundjavë, shkruan “Plusinfo.mk”, transmeton Open-TV.
Reshjet e dendura të borës kanë nisur nga Alpet. Disa rajone në Itali po përballen me paralajmërime ekstreme për borë dhe akull. Një paralajmërim portokalli është lëshuar në rajonet Le Marche dhe Emilia-Romagna, duke treguar një kërcënim për njerëzit dhe pronën.
Sllovenia, Kroacia dhe Austria janë goditur gjithashtu nga stuhitë e borës, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike. Rrugët dhe shkollat u mbyllën në disa zona, si në Carinthia në Austri, ku 5000 familje mbetën pa energji elektrike.
Bora dhe era e fortë në Slloveni çuan në probleme në trafik dhe furnizim me energji elektrike, raportojnë mediat sllovene.
Meteorologët serbë presin borë të enjten dhe të premten në zonat malore, ndërsa në fundjavë më 28 dhe 29 janar në zonat më të ulëta me më pak borë.
Në malet tona ka borë. Në Popova Shapkë ka një mbulesë dëbore prej 90 centimetra, në Mavrovë 21 centimetra dhe në Krushevë 11 centimetra. Mirëpo, sipas parashikimeve online, këtë fundjavë pritet të ketë borë nëpër lugina, me gjasë edhe në Shkup./Open-TV/