Deri ku kemi arritur si shoqëri? Çfarë vlere kanë titujt akademikë kur mungojnë kujtesa, mirënjohja dhe guximi intelektual për të nderuar ata që kanë lënë gjurmë në historinë tonë?
Është paradoksale që dje, sot dhe nesër shpërndahen tituj Doctor Honoris Causa, ndërsa harrohet njeriu që e konceptoi dhe e materializoi idenë e themelimit të Universitetit të Evropës Juglindore – ARBËN XHAFERI.
Pikërisht në atë universitet, ku shumë prej atyre që sot mbajnë tituj akademikë kanë ndërtuar karrierën e tyre profesionale dhe shkencore, dikur ideja e tij u përbuz dhe u shoqërua me etiketime fyese. Ndoshta sepse jo të gjithë arrinin të ngriheshin në lartësinë e vizionit të Arbën Xhaferit.
Sot, kur disa prej tyre nderohen me tituj akademikë, nuk gjetën as një fjalë mirënjohjeje, as një gjest respekti për njeriun që i dha jetë kësaj ideje dhe krijoi një institucion ku kaluan breza të tërë studentësh.
Kjo nuk është thjesht mungesë mirësjelljeje. Është krizë e kujtesës, e karakterit dhe e përgjegjësisë intelektuale. Sepse dija pa ndërgjegje nuk e lartëson shoqërinë, ndërsa titulli pa dinjitet mbetet vetëm një dekoratë.
Fatkeqësisht, në këtë hapësirë vazhdon të mbijetojë e njëjta mendësi politike: të njëjtët mekanizma, e njëjta filozofi sundimi dhe e njëjta qasje ndaj njerëzve që guxojnë të mendojnë ndryshe. Nga viti 1991 e deri më sot, ndryshojnë emrat dhe rrethanat, por jo gjithmonë ndryshon mendësia.
Ndryshimi nuk vjen vetvetiu. Ai kërkon karakter, guxim dhe njerëz që dinë ta dallojnë meritën nga konformizmi, dijen nga servilizmi dhe mirënjohjen nga interesi.
Doctor Honoris Causa nuk duhet të jetë vetëm një titull që shpërndahet, por një vlerësim i lartë për një vepër që i mbijeton kohës.
Në këtë kuptim, Arbën Xhaferi e meriton këtë nderim jo për atë që ishte në hierarkinë politike, por për vizionin, idenë dhe trashëgiminë intelektuale që la pas.
Sepse disa njerëz nuk e meritojnë vetëm një titull nderi; ata meritojnë që shoqëria të mos i harrojë.
ARBËN XHAFERI – LAVDI JETËS, VEPRËS DHE VIZIONIT TË TIJ!







