Reshat Ibraimi-Open-TV
Open-TV ju sjell historinë e motrës medicinale, Zeqavete Islami nga Llopati i Kumanovës, e cila një jetë të tërë është kujdesur për fëmijët e vegjël.
“Teta Zeki”, siç është njohur me këtë nofkë nga shoqet, sot u pensonua, pas 40 vitesh punë në ISHP “Shtëpia e Shëndetit” në Kumanovë (më herët në spitalin e përgjithshëm).
Motra mjekësore, Zeqavete Islami, nga fshati Llopat i Kumanopvës është një zonjë e njohur në këtë qytet, e cila plotë katër dekada i ka shërbyer popullatës së kësaj ane dhe më gjerë. Ajo gjithmonë ka lënë përshtypje të veçantë, me pritjen dhe kujdesin e saj, veti këto që e kanë ngritur edhe më shumë si një zonjë humane dhe afërt me njerëzit.
Zonja Zeqavete Islami është ndër motrat e para në këtë trevë, e cila pjesën më të madhe të karrierës së saj profesionale e ka kaluar pranë fëmijëve të vegjël, duke dhënë kontributin e saj të madh.
Ajo tërë jetën e ka vënë në shërbim të pacientëve dhe sot kur po pensionohet drejtori i ISHP “Shtëpia e Shëndetit” në Kumanovë, Faruk Alili, i thotë fjalët më të mira për të. “Ka qenë shembull në punë dhe do të na mungojë shumë. Unë i uroj shëndet dhe jetë të gjatë”, tha drejtori Alili, në drekën e shtruar pikërisht për zonjën Zeqavete, e ku morën pjesë i gjithë stafi punonjës.
Kush është Zeqavete Islami, jeta dhe rrugëtimi i saj?
Zeqavete Islami është me origjinë nga fshati Llojan i komunës së Likovës. Pikërishtë në këtë fshat kishte lindur para 62 viteve. Ajo në këtë fshat përfundoi shkollën fillore.
Përkushtimi i saj kishte qenë vazhdimi i shkollimit dhe atë për motër mjekësore. Këtë dëshirë ia kishin plotësuar prindërit e saj që poashtu e kishin dashur arsimin.
Në mungesë të shkollës medicinale në Kumanovë ajo së bashku disa shoqe e kishte vazhduar shkollimin në Tetovë, ku edhe diplomoi.
Në moshën 19 vjecare është punësuar, dhe ka punaur deri në ditën e sotme.
Gjatë punës së saj 40 vjeçare rrëfen se ka pasur momente të mira, por edhe situata të vështira.
Zeqavetja e pranon se sot ndihet e emocionuar që po ndahet me koleget dhe kolëgët e saj, të cilët do t’i mungojnë shumë.
“Të punosh më fëmijë të vegjël, disa muajsh, nuk ka qenë e lehtë. Kemi pasur lloj-lloj rastesh, por jemi munduar që t’i përballojmë të gjitha sfidat. Sot jam e lumtur dhe krenare që iu kam shërbyer njerëzve që kanë pësur nevojë në çdo kohë. Do të mungojnë të gjithë pa përjashtim. I falënderoj të gjithë shoqet dhe shokët e punës që sot më nderuan në këtë drekë. Janë pjesë e jetës sime”, thotë mes emocionesh zonja Zeqavete Islami.
Zeqavete Islami është e martuar me Sali Islami në fshatin Llopat të Kumanovës dhe ka një familje të shëndosh. (Open-TV)