Propozim ligji i BDI-së për Veting parasheh themelimin e agjencisë për kontroll të bartësve të funksioneve dhe kandidatëve për bartës të funksioneve, zgjedhjen e një trupi rregullator në Parlament i cili do të bëjë vetingun e politikanëve, bartësve të funksioneve publike, gjykatësve, prokurorëve.
Ky ligj poashtu parasheh kontrollin e të gjithë bartësve aktual të funksioneve, por edhe të gjithë atyre që kandidojnë për funksione, para se të zgjidhen, dhe botimin publik të një certifikate me informacione të plotë për secilin kandidat.
Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka bërë thirrje për transparencë totale të institucioneve dhe organeve të shtetit ndaj qytetarëve. Ai me rastin e 9 dhjetori Ditës ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit ka ritheksuar nevojën e miratimit të ligjit për Veting për politikanët, gjykatësit dhe prokurorët. Sipas tij, vetëm një ligj i tillë është garancë për rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.
“Në Ditën ndërkombëtare të luftës kundër korrupsionit vlerësoj se Ligji për Veting të politikanëve, gjykatësve dhe prokurorëve të dikurshëm, të tanishëm dhe të ardhshëm, është mënyra më e mirë për të rikthyer besimin e qytetarit në institucionet dhe proceset. Ligji për veting parasheh themelimin të një komisioni parlamentar të pavarur për të kontrolluar integritetin dhe kredibilitetin e të gjithë bartësve të institucioneve para se të zgjidhen ose emërohen”, nënvizoi zëvendëskryeministri i parë Grubi.
Sipas propozuesit të ligjit ky hap garanton transparencë dhe informacion të plotë për qytetarët mbi secilin kandidat për bartës të funksionit pra se ata të zgjidhen dhe ndalon propagandën, lajmet e rreme dhe shpifjet. Përmes këtij ligji dhe kontrollit të integritetit dhe dinjitetit të mbajtësit dhe kandidatit për poste publike synohet të arrihet parandalim i korrupsionit, krimit, shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe reputacionit të institucionit.(PRESSonline.mk)