Pas vendimit për hyrje në qeveri, Aleanca për Shqiptarët ka publikuar parimet bazë dhe zotimet për bashkëpunim koalicioni, të përkrahura nga Kryeministri Kovaçevski.
Deklarata e zotimeve e ASh-së përmbanë 22 zotime të ndara në 5 priorite siç janë lufta kundër korrupsionit, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, fuqizimi i rajoneve, energjetika dhe shëndetësia. Deklarata e plotë mund të lexohet këtu.
Në shtetin e së drejtës dhe luftën e krimit dhe korrupsionit, ASh ka kushtëzuar futjen e saj në qeveri me miratimin e Ligjit për veting të gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve, i cili është premtuar shumë herë nga partitë në pushtet por nuk është realizuar deri më tani.
Krahas Ligjit për veting, po ashtu kjo shumicë e re parlamentare pritet të sjell edhe themelimin e Zyrës për Rikthimin e Pasurisë që konfiskojnë pronën e pajustifikueshme dhe të rrisë investimet në institucionet antikorrupsion dhe ligjzbatuese.
Këtyre reformave do t’u prijë Krenar Lloga, Ministër i Drejtësisë nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, njëherë edhe Sekretarit të Përgjithshëm i partisë.
Aleanca për Shqiptarët në qeveri do të përfaqësohet me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Shoqërisë dhe Administratës Publike, Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa në pozitat e zëvendësministrave, ASh do të përfaqësohet në Ministrinë e Mbrotjes dhe atë të Bujqësisë.