Në New York, tashmë 28 Nëntori është festë zyrtare.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama shprehet i lumtur për këtë vendim, derisa uron qytetarët për festën.
Shkrimi i plotë:
NJU-JORKU BËN HISTORI: 28 NËNTORI FESTË ZYRTARE!🇦🇱🇺🇸
Jam shumë i lumtur që më 19 nëntor të këtij viti, Këshilli i Qytetit të Nju-Jorkut miratoi rezolutën që njeh 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, për ta shënuar çdo vit.
Për breza të tërë, familjet shqiptare në Nju-Jork e kanë festuar këtë ditë në shtëpitë e tyre, në lagjet e tyre dhe me fëmijët e tyre. Ua kanë mësuar shqipen fëmijëve, ua kanë treguar historinë e flamurit dhe e kanë mbajtur të gjallë lidhjen me vendlindjen. Sot, dita që këto familje e kanë ruajtur brez pas brezi merr njohjen e qytetit që e bënë shtëpi.
Nga Prishtina, e përshëndes këtë vendim dhe u shpreh mirënjohjen time shqiptarëve të Nju-Jorkut. Me punën dhe përkushtimin tuaj, keni fituar respektin e qytetit dhe i keni dhënë brezit të ri një arsye më shumë për t’u krenuar me rrënjët e veta.
Faleminderit, Nju-Jork! Gëzuar 28 Nëntorin, shqiptarë, kudo që jeni!








