Zhvillime të reja kanë ndodhur në klubin e boksit “Çair” nga Shkupi. Këta të fundit kanë emëruar një kampion në krye të klubit. Bëhet fjalë për Jasin Lama, emrin e njohur të boksit jo vetëm në Maqedoninë e Veriut dhe rajon, por edhe më gjerë. Lama vjen në krye të kryetarit të klubit të boksit “Çair” në vend të Faton Salihut, emrit të madh dhe të njohur në sport, respektivishtë në boksin e vendit tonë. Pra, Lama do të vazhdoj aty ku po e lë Faton Salihu.
Faton Salihu dhe kryesia e klubit përmes sakrificave dhe përpjekjeve të vazhdueshme kanë treguar se boksi është më shumë se një sport. Ajo është një rrugë për formimin e karakterit, aftësive fizike dhe përpjekjes për arritjen e objektivave të mëdha. Dhe, në këtë rrugë, Faton Slaihu ka udhëhequr me meritë, duke e ndihmuar sportin e boksit të ngjitet në nivele të reja në Maqedoninë e Veriut.
Faton Salihu si lider i deritanishëm i klubit të boksit “Çair” ka treguar se me përkushtim dhe vizion të qartë mund të ndërtohet një klub i madh dhe të formohet një brez i ri i sportistëve të talentuar. Ai është një shembull inkurajues për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e pasionit dhe punës së palodhshme. Me këtë energji po e fillon rrugëtimin edhe Jasin Lama.
Dhe, për kampionin Jasin Lama, pozita e kryetarit të KB Çair është nder dhe privilegj, por edhe përgjegjësi për t’i prirë një klubi, i cili nga themelimi e deri tani di vetëm për suksese.
Gjatë historisë 17-vjeçare KB Çair ka zbuluar talente të shumta të boksit, të cilët më vonë kanë dominuar në turnet dhe kampionatet vendore sic është Liga e parë dhe Liga e të rinjve, por edhe turnet ndërkombëtarë, duke sjell medalje dhe cmime të shumta, si dhe ka fituar edhe trofeun e “Gongut të Artë”.
Për në fund, mund të themi vetëm urime dhe të priftë e mbara Jasin Lama.