Pothuajse 100% të votave janë numëruar dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova kryeson në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajtën të mërkurën.
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, kandidat për president nga BDI-ja, partia më e madhe e shqiptarëve atje, ka marrë 120.903 vota ose 13.36%. Ndërsa kundërkandidati i tij, Arben Taravari nga koalicioni i partive opozitare shqiptare, i mbështetur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje që qeveris në Kosovë, ka marrë 83.356 vota (9.21%).
Arben Taravari, fitoi më së shumti vota vetëm në Gostivar (32,26%), komunën të cilën e udhëheq si kryetar.
Më 8 maj mbahen zgjedhjet parlamentare në RMV. Të njëjtën ditë mbahet edhe rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale ku për shef të shtetit do të garojnë kandidatja e VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, e cila po prin bindshëm në garë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i renditur i dyti. (Top Channel)