Me riorganizim, punë në dy ndërrime, të shtunave dhe të dielave, në disa Përfaqësi Diplomatike Konsullore me stacione të reja bazë, si dhe me kuadër shtesë, Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani kërkon që të përshpejtohet procesi i dhënies së pasaportave në PDK-të e Maqedonisë së Veriut. Ministri Osmani gjatë javës që lamë pas, përfshirë edhe fundjavën, ka vizituar disa Përfaqësi Diplomatike Konsullore si, Brukseli, Mynihu, Boni, Berna, Vjena dhe Venecia. Nga afër është informuar për punën që po e vijojnë diplomatët tanë, por edhe ka dëgjuar sfidat e qytetarëve, respektivisht diasporës sonë për procesin e marrjes së dokumenteve të udhëtimit. “Duhet të ndryshojmë diçka. Jeni mjaftë njerëz këtu. Më tregojnë se terminët janë deri në tetor. … Pse? Duhet të ia bëjmë disi. Dy ndërrime, ta sjellim stacionin. Çka do të bëjnë (qytetarët) deri në tetor si do të kthehen? T’i shohim listat. Unë mendoja të lëshojë inspeksion në të gjithë PDK-të, por prapë vendosa të vijë vet. Të shohim, sa? Sa brenda ditës? Çka duhet të bëjmë, nuk ka logjikë deri në tetor. Do t’i ngatërrojmë këtu njerëzit”, është shprehur ministri Osmani në bashkëbisedim me diplomatët tanë në Konsullatën e përgjithshme në Venecia. “Kam ardhur këtu për t’i inkurajuar diplomatët që u shërbejnë rreth 300 qytetarëve tanë çdo ditë, por edhe për të parë se si po shkon procesi i lëshimit të dokumenteve të reja të udhëtimit. Kam sjellë një stacion tjetër mobil për fotografim, që do të thotë se edhe këtu në Bern po punojmë me dy punkte paralelisht, që do të thotë se paralelisht dy ekipe po fotografojnë dhe shpërndajnë dokumente të reja udhëtimi”, tha Osmani në Berna. Përfaqësitë Diplomatike Konsullore të Maqedonisë së Veriut do punojnë me kapacitete të plota, dhe me dy ndërrime- përfshirë fundjavën, deri në kalimin e volumit të madh të nxjerrjes së dokumenteve. Ministri ka paralajmëruar se edhe këtë fundjavë të do jetë prezent në PDK-të e Maqedonisë së Veriut, për të vërtetuar se punohet dhe është përshpejtuar procedura për marrjen e pasaportave.