Botërorin nuk e kanë me shumë qejf, por kur vjen puna te Lojrat Olimpike nuk duan të dështojnë asnjëherë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërcënojnë të gjithë rivalët përpara Olimpiadës “Paris 2024”. Në listën paraprake të lojtarëve të grumbulluar nga skuadra amerikane bëjnë pjesë të gjithë yjet e NBA, që si rrjedhojë janë edhe basketbollistët më të mirë të botës.
Trajneri Steve Kerr nuk do t’i lerë asgjë rastësisë në misionin për medaljen e pestë radhazi të artë, duke ftuar për herë të parë Joel Embiid. I lindur në Kamerun, “ylli” i Philadelphia ka marrë së fundmi nënshtetësinë amerikane. Përveç tij, për herë të parë me “Team USA” në Lojrat Olimpike të Parisit do të jetë i pranishëm edhe Stephen Curry.
Mes yjeve të tjerë të NBA bëjnë pjesë edhe LeBron James, Kevin Durant, Jimmy Buttler, Paul George apo Kyrie Irving. Mjaftojnë këto emra për ta bërë skuadrën amerikane të frikshme për çdo rival tjetër dhe si gjithmonë favorite për medaljen e artë në basketbollin për meshkuj në Olimpiadën ardhshme.
Shetet e Bashkuara të Amerikës e kanë fituar 16 herë medaljen e artë në 19 pjesmarrje në Lojrat Olimpike që nga viti 1932. /i.m /abcnews.al