10 gushti i vitit të kaluar ishte ditë e zymtë për 27 vjeçarin Denis Selko nga Pogradeci. Duke punuar u godit nga një veturë e cila iku nga vendi i ngjarjes, ndërsa kur u zgjua në spital kishte humbur njërën këmbë.
“Ngjarja ndodhi në gusht, ka qenë data 10 gusht kam qenë më vëllain duke shpërndarë peshkun për në Pogradec dhe në momentin që isha në pjesën mbas te makinën që po kërkoja porosinë që do të lija erdhi një makinë, nuk kam ndier asgjë vetëm kur e pash veten përtokë dhe shikoj këmbën që e kisha të humbur dhe kisha gjakderdhje më pas nuk mbaj mend si ka ardhur ambulanca, si më kanë çuar në spital, prej aty në Tiranë dhe vetëm kur u zgjova më thanë që këmbën e kam humbur”- thotë Denis Selko.
Babi i Denisit thotë se momenti më i vështirë i jetës së tij ka qenë kur mjekët i thanë që djalit duhej t’i pritet këmba, sepse në të kundërtën nga gjakderdhja i kishin mbetur vetëm edhe 3 orë jetë.
“Gjëja më e rëndë ishte kur kam firmosur për djalin për të prerë këmbën, kur shkova atje më thanë fillimisht do t’ia shpëtojmë këmbën dhe pastaj më erdhi doktori me infermieren dhe më tha Fari firmos sa më shpejtë se Denisit kanë filluar veshkat t’i nxihen dhe ka vetëm 3 orë jetë”- thotë Babai I Denisit.
Tani 27-vjeçari ka një mënyrë për të lëvizur më lirshëm dhe ajo është vendosja e një proteze, por që kushton shumë dhe familja nuk e përballon dot.
“Një protezë normale shkon diku te 12 mijë euro që të ketë disa avantazhe që të mund të lëvizësh vetë mund të bësh disa hapa në ditët të shkosh në punë të vish nga puna, të mbijetosh”- shton Denis Selko.
Babi i Denisit thotë se paratë që kishin mbledhur duke punuar me bujqësi e blegtori i harxhuan për operacionet e djalit, gjë për të cilën e kanë ndihmuar familja dhe fshatarët, por tanimë nuk mund të drejtohet sërish për ndihmë dhe vetë nuk kanë mundësi për ta paguar protezën.
“Fëmijët t’i kemi sa më mirë Zoti t’i ruaj të gjithëve si ata që do më ndihmojë edhe ata që nuk do ndihmojnë Zoti kurrë mos e provofshin dhimbjen shpirtërore të fëmijës mos e pafshin fëmijën sakat ose të sëmurë në shtrat”- thotë babai i Denisit.
Rasti për aksidentin e Denisit po zvarritet gjykatave të Shqipërisë, megjithatë ai nuk i ka humbur shpresat e një ditë drejtësia do të vihet në vend. Për momentin shpresa e vetme qëndron tek bamirësit që do t’i zgjasin dorën për të mbledhur para për protezën, ndërkaq Shoqata e Bamirësve Strugë nëpërmjet një aksioni me një faqe “Gofoundme” do të kujdeset për mbledhjen e fondeve.