Vjenë, 28 nëntor – Në një nga kryeqendrat evropiane që luajti rol të rëndësishëm në historinë e shtetformimit shqiptar, kryetari i Lidhjes Shqiptare, Ziadin Sela, po shënon 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Në një prononcim ekskluziv nga Vjena për OPEN TV, Sela ka folur për vizitën e tij në Parlamentin austriak, kontributin historik të Austro-Hungarisë në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe rëndësinë e përmbushjes së amanetit të delegatëve të Vlorës. Sela fillimisht ua uroi festën e 28 Nëntorit të gjithë shqiptarëve, duke theksuar se kjo datë mbetet simbol i bashkimit kombëtar.
“Fillimisht, më lejoni që t’u uroj të gjithë shqiptarëve Ditën e Flamurit, festën që na bashkon të gjithëve, me mesazhin që sa më shpejt t’i përmbushim edhe amanetet e delegatëve, të cilët u mblodhën në Vlorë dhe shpallën pavarësinë e Shqipërisë më 28 nëntor”, deklaroi Sela për OPEN TV.
Kreu i Lidhjes Shqiptare bëri të ditur se qëndrimi i tij në Vjenë vjen pas një ftese nga deputeti i Parlamentit austriak, Minich, me të cilin ka realizuar edhe një vizitë në institucionin ligjvënës të Austrisë. Duke iu referuar rëndësisë historike të këtij vendi për shqiptarët, Sela rikujtoi kontributin e Austro-Hungarisë në procesin e njohjes së pavarësisë së Shqipërisë. “Austria, përkatësisht Austro-Hungaria e asaj kohe, ishte vendi që dha kontributin më të madh drejt njohjes së pavarësisë së Shqipërisë”, tha Sela, duke përmendur edhe mbështetjen që shqiptarët kishin marrë asokohe nga Italia.
Sipas tij, qëndrimi në Vjenë pikërisht në Ditën e Flamurit mbart një simbolikë të veçantë, duke pasur parasysh rolin historik të këtij kryeqyteti në çështjen shqiptare. “Me të vërtetë ndihem i nderuar që më 28 nëntor jam në Vjenë, në një qendër të rëndësishme që ka vendosur për fatet e shqiptarëve”, deklaroi Sela ekskluzivisht për OPEN TV.







