Nga VLEN thonë se duke marrë parasysh Raportin e ODIHR-së, dyshojnë se BDI-ja është e gatshme të shkaktojë krizë politike, siç thonë për të mos e pranuar humbjen në zgjedhje. Opozita shqiptare thotë se për këtë, nuk duhet të anashkalohet fakti se kandidati për president i BDI-së, Bujar Osmani ishte kryesues i OSBE-së.
“Së pari, Ali Ahmeti deklaroi në shkurt në Kosovë se tani nuk është koha për president shqiptar. Së dyti, Artan Grubi, kur BDI-ja u bë e vetëdijshme se nuk mund të gjejnë mënyrë ta pengojnë VLEN-in të ketë kandidat presidencial, publikoi në Fejsbuk “Vetëm Ali Ahmeti”, duke aluduar se ai do të jetë kandidati i tyre për president. Së treti, kur Arben Taravari njoftoi se do të bëhej kandidat për president i VLEN-it, Ali Ahmeti u frikësua se do të mposhtej dhe vendosi të sakrifikojë Bujar Osmanin me idenë e ndryshimeve kushtetuese për ndryshimin e zgjedhjes së presidentit dhe futjen e funksionit zëvendëskryetar, si kusht i BDI-së për çfarëdo koalicioni me partitë maqedonase. Më pas, në promovimin e Bujar Osmanit në Sallën “Kale”, Ali Ahmeti doli me tezën e katërt “Haxhi Pishmani”, përkatësisht e promovoi sloganin “Erdhi koha për presidentin e parë shqiptar”, tha mes tjerash Orhan Murtezani nga VLEN.