Një tjetër sfidë ndërkombëtare e pret karateistin e Klubit të Karatesë “Rinia” nga Mateçi, Nedim Shaqirin.
Ai do të udhëtojë drejt Salzburgut të Austrisë, ku nga 2 deri më 4 tetor do të marrë pjesë në Karate One Series A, një nga turnetë më të forta të kalendarit ndërkombëtar të karatesë, nën organizimin e Federatës Botërore të Karatesë – WKF.
Shaqiri do të garojë në kategorinë e seniorëve, në peshën deri në 60 kilogramë, në një konkurrencë ku pritet të jenë të pranishëm karateistë të nivelit të lartë nga e gjithë bota.
Për Nedim Shaqirin, kjo garë vjen në një moment të rëndësishëm të karrierës së tij. Gjatë këtij viti, ai arriti një rezultat të jashtëzakonshëm, duke u renditur i pesti në Kampionatin Evropian për Seniorë në Frankfurt.
Ky sukses ka ngritur pritshmëritë edhe për paraqitjen e tij në Salzburg. Nga Klubi i Karatesë “Rinia” thonë se sportisti është i përgatitur dhe se përvoja e fituar në garat evropiane dhe botërore do të jetë një avantazh i rëndësishëm në këtë kompeticion.
“Presim rezultat pozitiv nga Nedimi. Ai është i përgatitur dhe ka përvojë të madhe në gara evropiane dhe botërore. Shpresojmë që të ketë një paraqitje të denjë dhe rezultat pozitiv”, është shprehur trajneri i klubit, Seful Osmani.
Pjesëmarrja në Karate One Series A është një tjetër hap i rëndësishëm për Shaqirin, i cili tashmë synon të përballet me më të mirët dhe të vazhdojë rrugëtimin e tij në arenën e madhe ndërkombëtare.
Me këtë paraqitje, Klubi i Karatesë “Rinia” vazhdon të jetë pjesë e skenës ndërkombëtare, duke përfaqësuar me përkushtim dhe dinjitet sportin e karatesë nga Mateçi dhe Komuna e Likovës.







