KF Bashkimi 2008 nga Jabollçishta ka dorëzuar ankesë zyrtare pranë organeve kompetente të Ligës së Tretë – Regjioni 4, lidhur me ngjarjet e ndodhura gjatë dhe pas ndeshjes kundër KF Rosoman 83, si dhe vendimin disiplinor ndaj futbollistit të klubit, Emre Ismail.
Përmes një komunikate publike, klubi ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj dënimit prej pesë ndeshjesh dhe gjobës financiare të shqiptuar ndaj lojtarit, duke vënë në pikëpyetje proporcionalitetin e këtij vendimi dhe kriteret e përdorura nga organet disiplinore.
Nga KF Bashkimi 2008 theksojnë se shqetësimet e tyre nuk lidhen vetëm me këtë rast, por edhe me disa vendime të mëparshme të arbitrimit dhe të organeve disiplinore, të cilat, sipas klubit, kanë krijuar perceptimin e një trajtimi jo të barabartë në këtë garë.
Një nga çështjet më serioze të ngritura në komunikatë janë edhe dyshimet për trajtim të pabarabartë dhe diskriminim të mundshëm në baza etnike. Klubi kërkon që këto pretendime të shqyrtohen me seriozitet dhe transparencë nga institucionet përkatëse.
Në ankesën e dorëzuar, KF Bashkimi 2008 ka përfshirë disa çështje kryesore:
– Vendimet e diskutueshme të arbitrimit gjatë ndeshjes.
– Fyerjet dhe provokimet me përmbajtje nacionaliste që, sipas klubit, janë drejtuar ndaj lojtarëve dhe përfaqësuesve të tij nga futbollistë të KF Rosoman 83.
– Dënimin prej pesë ndeshjesh ndaj Emre Ismailit dhe mospërputhjen e pretenduar me masat disiplinore në raste të tjera të publikuara në të njëjtin buletin.
– Dyshimet për trajtim të pabarabartë dhe diskriminim në baza etnike.
Klubi nga Jabollçishta kërkon një rishikim të plotë dhe të paanshëm të të gjitha rrethanave të ndeshjes, duke përfshirë edhe ngjarjet e ndodhura pas përfundimit të saj.
Në komunikatën e tyre, drejtuesit e KF Bashkimi 2008 theksojnë se nuk kërkojnë privilegje apo trajtim të veçantë, por vetëm zbatim të barabartë të rregullave, drejtësi sportive dhe respekt për të gjithë pjesëmarrësit në garë.
“Bashkimi nuk luan vetëm për fitore, por edhe për dinjitet dhe drejtësi!”, thuhet në mesazhin përmbyllës të klubit.
KF Bashkimi 2008 bën të ditur se do të vazhdojë të përdorë të gjithë mekanizmat institucionalë dhe ligjorë për të mbrojtur interesat e klubit dhe lojtarëve të tij, ndërsa nga organet kompetente pret përgjigje dhe veprime konkrete lidhur me ankesën e dorëzuar.







