Ekipi katalanas është akuzuar për korrupsion dhe ryshfet, duke përfshirë ish-arbitrin Jose María Enriquez Negreira. Një gjykatë në Barcelonë njoftoi dje se ish-zyrtarët e klubit Sandro Rosell dhe Josep Maria Bartomeu, si dhe ish-drejtorët ekzekutivë Albert Soler dhe Oscar Grau, së bashku me Negreira, u akuzuan për “korrupsion” dhe dokumentacion fals.
Është pikërisht për shkak të kësaj që Barcelona mund të marrë një dënim shtesë nëse UEFA përfshihet. “Marka” thotë se UEFA do ta analizojë me kujdes të gjithë situatën dhe nëse konstaton se është dëmtuar reputacioni i futbollit evropian të klubeve, në atë rast do të pasojë një pezullim.
Kjo do të thotë se me prova të forta, Barça do të përjashtohet nga Liga e Kampionëve, Liga e Evropës dhe Liga e Konferencave për një periudhë prej dy deri në pesë vjet, në varësi të të gjitha zhvillimeve.
UEFA do të drejtohet nga neni 4, i cili thotë se klubet që janë të përfshira në korrupsion apo çdo gjë tjetër, që është në kundërshtim me ligjet e UEFA-s, do të sanksionohen.
Javën e kaluar drejtuesit e shtëpisë europiane të futbollit kërkuan dokumentacion të plotë për këtë rast.