Një lojë më shumë gola dhe plot spektakël është zhvilluar dje në stadiumin e qytetit në Kumanovë, e cila ka përfunduar me fitoren e Bashkimit me rezultat 4-0 kundër Kumanovës, shkruan Open-TV.
Kjo përballje ishte njëra prej ndeshjeve kryesore të javës së 19-të të Ligës së Tretë-Veri. Golat për Bashkimin i shënuan Ameti në pjesën e parë dhe në pjesën e dytë: Aziri (penallti), Osmani dhe Sulejmani. Një penallti e huqi Mërgim Lutfiu, kurse në pjesën e parë Bashkimi mbeti pa Alajdin Alilin me kartonë të kuq.
Në këtë derbi edhe njëherë ka shkëlqyer Egzon Aziri. Sulmuesi i rrezikshëm i Bashkimit ishte tejet i saktë nga pika e bardhë, ndërsa disa minuta më vonë pas një depërtimi nga krahu i djathtë bëri një asist fenomenal deri te emnaku i tij Egzon Osmani, i cili me mjeshtëri dhe shumë elegancë e dërgoi topin në rrjetën kundërshtare.
Ky asist dhe gol ndezi atmosferën në stadiumin e qytetit në Kumanovë, ku ishin të pranishëm mbi 1.000 shikues.
Pas kësaj fitore, Bashkimi vazhdon t’i prijë tabelës së klasifikimit tash me 49 pikë. (Open-TV)