Trajneri i BC Çair 2030, Erhan Ramadan është i indinjuar nga gjithçka që ka ndodhur në ndeshjen e mbrëmshme kundër Feniksit, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Parë të Basketbollit të Maqedonisë.
Strategu i ri u përjashtua me karton të kuq në periodën e tretë, pasi reagoi ashpër ndaj disa vendimeve të arbitrave.
Ai as pas ndeshjes nuk ka mundur të qetësohet nga ajo që ka përjetuar, ndaj ka shpjeguar për KOSH.MK, transmeton Open-TV se çfarë ka ndodhur saktësisht në fushë në “Kale”.
“Së pari dua të përgëzoj Fenix-in për fitoren e merituar, ata luajtën shkëlqyeshëm dhe nuk kam asnjë kundërshtim për sjelljen e kundërshtarit. Revolta ime është shkaktuar nga tre arbitrat dhe kriteret e tyre të pabarabarta në këtë ndeshje. Për të njëjtat situata u morën vendime të ndryshme, më së shumti në dëmin tonë, për shkak të të cilave nervozizmi në ekip u rrit dhe nuk arritëm të ktheheshim në lojë për fitore. Para pushimit ne ishim në një ecuri prej nëntë pikësh, e ulëm deficitin në 15 pikë dhe patëm momentin në anën tonë. Gjithçka u shkatërrua nga një faull personal inekzistent, një nga të shumtët në këtë lojë që vërtet nuk durova dhe reagova.
Vërtet nuk e di se cili është qëllimi i këtij arbitrimi të njëanshëm, por ka nisur që në fillim të lojës. Basketbollistet tanë u goditën fjalë për fjalë gjatë lojës dhe gjyqtarët nuk reaguan në asnjë moment. Kundërshtari ka 6-7 situata në kosh me faull dhe ne mund të mos kemi asnjë edhe pse kishte kushte për vendime të tilla. Se sa të hutuar ishin arbitrat, tregohet më së miri nga një situatë qesharake kur u bë një aut para se topi të largohej nga fusha”, thotë Ramadan.
Trajneri i çairasve i referohet edhe punës së klubit, i cili këtë sezon është debutues në Ligën e Parë të Maqedonisë.
“Ekipi ynë është ndër të paktët ku pagat paguhen rregullisht, operojmë sipas standardeve më të larta, kemi investuar 40 mijë euro për renovimin e palestrës ‘Shaban Trstena’ në Çair, ku do të luajmë ndeshjet tona në të ardhmen dhe basketbollistet janë plotësisht të kënaqur me qëndrimin dhe trajtimin ndaj tyre. Ne nuk duam të lejojmë që të gjitha të prishen nga gjyqtarë të paskrupullt. Nuk do t’ia lëmë rastësisë, do ta ndjekim këtë deri në fund, pa marrë parasysh se çfarë ndodh sepse kjo lloj sjelljeje mund të çojë në pasoja shumë më të mëdha në të ardhmen. Kjo është humbja jonë e tretë, për dy të mëparshmet nuk kërkuam alibi, por na lejuan të luanim basketboll, ashtu si në ato ndeshjet që fituam. Shpresoj që kjo të mos ndodhë më dhe të kemi të njëjtat kushte si klubet dhe ekipet e tjera”, shton Ramadan.
BC Çair 2030 humbi nga Feniks me rezultatin 78-97, në kuadrin e javës së 5-të./Open-TV.