Emisari amerikan Gabriel Escobar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ka treguar se kanë pasur një diskutim të mirë për çështjen e dinarit.
Escobar ka thënë se Kurti e ka marrë parasysh shqetësimin amerikan për efektin e ndalimit të dinarit tek serbët lokalë dhe ka premtuar që do t’i marrë parasysh disa prej propozimeve që Escobar i ka bërë në takim.
“Patëm një diskutim shumë të mirë dhe e kam bërë shumë të qartë që askush s’ka nevojë të dëgjojë storie të njerëzve që preken më së shumti nga ky vendim. Sigurisht që ne prekemi nga storiet e njerëzve dhe ndikimin që ka pasur ky vendim në ta. Kryeministri ka marrë parasysh dhe premtuar që do t’i marrë parasysh disa prej propozimeve që i kam bërë sot”, ka thënë Escobar.
Emisari amerikan është pyetur nga gazetarët për qasjen e SHBA-së ndaj Kosovës dhe për cilësimet si “të pabalancuar”.
Escobar ka thënë se SHBA gjatë gjithë këtyre viteve ka bërë çdo gjë në favor të Kosovës, duke filluar me përkrahjen për anëtarësim në Këshill të Evropës, përkrahjen për zgjedhje në veri, mbështetjen pas sulmit të 24 shtatorit, dhe ndihmesën për të marrë sistemin anti-tank “Javelin”,
Pasi ka numëruar këto, Escobar ka pyetur se si mund të jetë kjo qasje e pabalancuar.
Ai ka thënë se shpreson që edhe Qeveria e Kosovës të dëgjoëj brengat e SHBA-së dhe ka thënë se s’do të ishte shumë e vështirë meqë bëhet fjalë për qytetarë të Kosovës.
“Po ju them diçka. Çdo gjë që kemi bërë në këto vite kanë qenë në favor të Kosovës. Menjëherë pas Ohrit kemi mbështetur anëtarësimin tuaj në Këshill të Evropës, kemi mbështetur proceset demokratike, përfshirë edhe zgjedhjet në veri, kemi qëndruar përkrah jush edhe pas 24 shtatorit sulmit dhe ju ndihmuam të merrni “javelins”. Më shpjego si kjo është e pabalancuar.
Çdo gjë që kemi bërë ka qenë në favor të Kosovës, ndërkohë shpresojmë që Kosova të dëgjojë edhe brengat tona dhe besoj së nuk do të duhej të ishte e vështirë, sepse janë qytetarë të Kosovës”, ka deklaruar pas takimit Escobar.