I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë problem në komunikim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ai ka theksuar se raportet ndërshtetërore tejkalojnë ato të një njeriu apo partie, duke shtuar se me Kurtin të njëjtin problem e kanë edhe shtetet partnere të Kosovës.
“Partneriteti mes SHBA-së dhe qytetarëve nuk shkon përmes një njeriu apo partie, por do të thosha se tani kemi probleme në komunikim me kryeministrin. Ky nuk është problem që kanë vetëm SHBA-të, ka edhe BE-ja, NATO-ja, Britania e Madhe, dhe shtete tjera si Maqedonia e Veriut apo Shqipëria. Duam kthimin e marrëdhënieve në binarët që kanë qenë më parë”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se komunikimi me Kosovën ka qenë shumë i mirë në të kaluarën dhe shpreson që e njëjta situatë do të jetë edhe në të ardhmen.
Po ashtu, ai ka theksuar se dialogu Kosovë-Serbi është në fazë kritike, teksa e ka cilësuar “katastrofik” dhe “jo-kompetent” vendimin e Kosovës për dinarin serb.
Nga data 10 mars e deri më 18 mars, Escobar do të realizojë një mori takimesh në Belgjikë, Kosovë, Austri dhe Mal të Zi.
Escobar pritet t’i nisë takimet në Prishtinë më 13 mars.
I pyetur pse nuk po e viziton edhe Maqedoninë e Veriut, ai ka thënë se situata në Kosovë është “e tmerrshme, prandaj më duhet ta vizitoj Kosovën”.