Reshat Ibraimi
Ndeshja ndërmjet Shkëndijës së Haraçinës dhe GFK Kumanovo tërhoqi vëmendjen më të madhe në javën e 17-të të Ligës së Tretë – grupi Veri.
Derbi i madh në stadiumin “Hasanbeg Arena” në Hasanbeg u luajt para tribunës përplot me sportdashës të futbollit. Mbi 1.500 tifozë të haraçinasve kishin ardhur për të mbështetur klubin e tyre në duel me liderin e tabelës-GFK Kumanovo.
Ashtu siç i ka hije një derbi të madh, “Çlirimtarët” organizuan spektakël të vërtetë.
Përvec që ndeshja u zhvillua para tribunës plot me shikues, dashamirë të futbollit pati edhe jashtë stadiumit që e ndoqën derbin për skaj murit të stadiumit, madje disa kishin hipur edhe në kulme të shtëpisë.
Shkëndija e mposhti Kumanovën edhe me lojë dhe me rezultat, 3-0, duke e bërë betejën për titull kampioni edhe më interesante.
Si gazetar sportiv i përgëzojë kryesinë e Shkëndijës së Haraçinës për organizimin fantastik të ndeshjes. Shkëndija dje dëshmoi se është klub me traditë të vjetër në futboll, se është kampione edhe për organizim të lojës dhe se meritojnë të jenë në rang më të lart garash. I priti dhe i përcolli mysafirët nga Kumanova ashtu siç duhet- në mënyrë sportive.
Edhe treshja e referëve të Ligës së Parë në krye me Stojançe Trpçevski nga Kavadari ishin në nivel të detyrës. Ata pa asnjë gabim e drejtuan ndeshjen.
Faleminderit Shkëndijës për respektin që na e bëri mua si gazetarë sportiv dhe kolegut nga M-net prej Shtipi, Blagoja Sersemov për ftesën në iftarin e përbashkët. (Open-TV)