2 mars – Mjeku i njohur nga Gostivari, Shenazi Bilalli, për Open-TV ka rrëfyer një foto interesante të viteve të 90-ta, kur me ekipin e tij “Ilirija ‘92” nga Balindolli kanë marrë pjesë në një turne të madh të gazetës “Flaka” në Shkup.
Bilalli kujton se në atë turne kishin marrë pjesë 68 ekipe, ndërsa “Ilirija ‘92” kishte luajtur në finalen e madhe, të cilën për fat të keq e kishin humbur.
Për Ilirijën kishin luajtur emra të njohur të futbollit gostivaras, si Jeton Nesimi, Fadil Idrizi e të tjerë.
Bilalli ka rrëfyer edhe për vështirësitë që ka pasur derisa e kishte regjistruar ekipin me emrin “Ilirija 92” për të marrë pjesë në garat komunale në futboll të vogël.
“Kjo foto është kujtim nga turneu në futboll të vogël i organizuar nga ana e gazetes ‘Flaka’ në vitin 1992, i cili mbahej në Shkup në terrenin e shkollës fillore ‘Lirija’. Në këtë turne morën pjesë 68 ekipe nga gjithë Maqedonia. Ekipi im, pra ‘ILIRIJA 92’ nga fshati Balindoll i përforcuar me tre-katër futbollistë nga rrethina e Gostivarit (si psh. Jeton Nesimi, ish seleksionues), Fadil Idrizi, trajner aktual i moshave të reja…) ka qenë befasia e gjithë këtij turneu, për faktin që luajtëm në finale. Për fat të keq në finale humbëm nga një ekip shkupjan, në të cilën u aktivizuan shumë lojtarë që paraprakisht ishin eliminuar dhe ishte e pamundur të fitohej kjo lojë. Humbëm me rezultat 2-1 dhe kjo është shkruar si sukses më i madh i një ekipi sportiv të fshatit. Ky ekip startoi atë sezon edhe në futboll të ligës komunale me emrin ILIRIJA 92 gjë që personalisht kisha shumë peripeci ta regjistroj me këtë emër në atë kohë. Kam qenë kapiten i ekipit dhe kryetar i këtij klub”, e nis rrëfimin e tij Dr. Shenazi Bilalli për Open-TV.
“Për ekipin kundërshtar në finale luante një mjeshtër i vërtet i futbollit të vogël si: Xhenan Hajdari. Luanin ekipe të njohura nga Shkupi, Tetova (Emina-Harun Isa) , Gostivari Jehona – Topciu, Menga, nga Struga, Dibra, Kumanova, Kërçova e të tjerë. Ky turne tradicional i futbollit të vogël i gazetës Flaka e Vëllazërimit atë vit u aktivizua pas ca viteve pauze dhe prandaj të gjitha ndeshjet u luajtën në Shkup. Viteve të tjera luhej në gjitha qytetet, kurse pjesa përfundimtare luhej në Shkup. Fshati ynë jo shumë i madh për herë të parë me autobus,vetura kolonë shkonim për në Shkup. Sot emrin e këtij klubi e mban një kafiteri në Balindoll”, përfundon rrëfimin e tij me mall dhe nostalgji dr. Shenazi Bilalli.
Dr. Shenazi Bilalli është babai i futbollistit të njohur Lutfi Bilalli.
Ja emrat në fotografi: Shenazi Bilalli, Sadik Memedi, Gazmendi Raven, Bahtir Fidani, Lazim Hajdari, Afrim Iseini*, Nehat Neziri, Rushan Muharemi, Fadil Idrizi, Jeton Nesimi dhe trajneri Rami Nuredini*.
Në stafin organizativ janë edhe ndihmëstrajneri Ilmi Miftari, Erxhan Iseini, Adem Ramadani, Taip Fidani dhe Lato Memedi./Open-TV/
Ps: Ekipi “Ilirija 92′ nga Balindolli në turneun e futbollit të vogël në Shkup, Dr. Shenazi Bilalli, i treti majtas, në këmbë.