Franca ka shënuar fitore me rezultat 4:1 ndaj Australisë. Me këtë fitore Franca e nisi mbarë Botërorin, ku shihet edhe në mesin e ekipeve kombëtare favorite për të ngadhënjyer me trofeun më të çmuar në futboll.
Një Francë e vrullshme u pa në minutat e para – e gjitha e koncentruar në sulm. Kur dukej se goli ishte çështje kohe për kampionët në fuqi, australianët bën një befasi të llojit të vet, duke gjetur golin e epërsisë.
Zhvillohej minuta e 9-të e takimit kur Leckie harkoi tokazi në zonë të rreptësie duke gjetur krejtësisht të lirë bashkëlojtarin e tij Goodwin, i cili nga afërsia shënoi për 0:1.
Në vazhdën e këtij aksioni fatkeqësisht gjeti lëndimin Lucas Hernandez. Pas pesë minutash ai u detyrua t’ia lërë vendin vëllaut të tij, Theo Hernandez.
Franca menjëherë u përpoq të reagojë, edhe pse në fillim u vërejt qartë se pranoi një goditje jo të lehtë dhe iu desh pak kohë gjersa u rikthye të prodhojë sulme me intensitet të shpejtë.
Kështu, francezët gjetën golin e barazimit pas më shumë se një çerek lojë prej që kaluan në disavantazh. Ishte Hernandez ai që në minutën e 27-të harkoi bukur me të majtën e tij, duke gjetur të lirë Rabiot, i cili me një shkëputje të bukur me kokë dërgoi topin në rrjetë për 1:1.
Franca mori veten dhe riktheu edhe epërsinë psikologjike në fushë. Sulmet e kampionëve në fuqi nuk u ndalën dhe prodhuan menjëherë rezultat.
Në minutën e 32-të Rabiot që pranoi një top të mirë në zonë të rreptësisë. Mesfushori i Juventusit nuk u tregua egoist, por pasoi për Giroud, i cili shënoi për përmbysjen e rezultatit në 2:1.
Saktësisht në minutën e 45-të Mbappe mundi që ta thellonte epërsinë e kombëtarës të tij, por gaboi një rast të 100% para portës, duke dërguar mbi portë (VIDEO).
Australia pak sekonda më vonë nga një situatë që nuk premtonte shumë goditi shtyllën me kokë, duke rrezikuar seriozisht barazimin e rezultatit në 2:2 përmes Irvine (VIDEO).
Në pjesën e dytë Franca vazhdoi të ishte më mbizotëruese në lojë. Në minutën e 50-të ishte Giroud ai që iu afrua një goli të mrekullueshëm në stilin gërshërë pasi pranoi një harkim nga bashkëlojtari i tij te Milan, Hernandez, por topi përfundoi fare pranë shtyllës së parë pingule.
Gjithçka u vulos sa i përket fituesit në minutat në vijim. Konkretisht në minutën e 68-të ishte Mbappe që gjeti po ashtu rrugën e rrjetës, duke shënuar mjaft bukur me kokë pasi u asistua nga Dembele.
Vetëm tre minuta më vonë epërsinë e thelloi në 4:1 Giroud, duke shënuar golin e dytë në ndeshje. Gjithnjë duke u koordinuar me kokë, gjithnjë duke mos gabuar shënjestër, pasi u shërbye mirë nga Mbappe.
Me këtë gol Giroud barazoi rekordin e golave të shënuar nga Henry në kombëtare (51). Pra, kishte peshë të madhe edhe nga aspekti statistikor.
Kështu mbaroi edhe sfida, me rezultatin 4:1 dhe një fitore bindëse të ekipit kombëtar të drejtuar nga Deschamps.
Kujtojmë se gjatë ditës në Grupin D ndeshja e parë u zhvillua mes Danimarkës dhe Tunizisë, e cila përfundoi 0:0.
Me rezultatet që u shënuan sot në këtë grup nënkupton se Franca është në një pozitë mjaft solide pas kësaj fitore, meqë udhëheq në vendin e parë me 3 pikë, me Danimarkën dhe Tunizinë që pasojnë me 1 pikë dhe Australinë që është akoma pa pikë.
Ndeshjen e radhës Franca do ta luajë kundër Danimarkës më 26 nëntor, kurse Tunizia ndeshet ndaj Australisë në po të njëjtën ditë.