Arsimtari Sadri Aqifi sot është pensionuar pas 45 viteve punë të palodhshme dhe kontributi të madh në shkollën fillore komunale “Bajram Shabani” në Kumanovë dhe arsim në përgjithësi. Atij për katër dekada e gjysmë nuk iu nda ditari nga dora, shkruan Open-TV.
Sadri Aqifi ka lindur në vitin 1956 në Kumanovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e ka kryer në qytetin e lindjes, ndërsa fakultetin në “Shën Kirili” në Shkup.
Rrjedh nga një familje e mirënjohur intelektualësh. Duke ndjekur hapat e prindit të tij (mësuesit Demë) më 1 tetor të vitit 1977 punësohet si mësues në shkollën fillore “Bajram Shabani”, ku edhe u pensionua.
Gjatë gjithë këtyre viteve Sadri Aqifi ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në procesin edukativo-arsimor në rajonin e Kumanovës, duke nxjerrë gjenerata të shumta, me te arriturat e të cilëve sot krenohet mësuesi Sadri në pension.
Disa vite ka qenë bashkëpunëtor i Byrosë për Zhvillim dhe Arsim në trajnimin e arsimtarëve në Kumanovë e më gjërë.
Për punën e tij është shpërblyer disa herë nga shkolla, komuna, Lidhja e Arsimtarëve Shqiptar e tjerë.
Faleminderit mësuesi Sadri. Portali Open-TV i uron pensionimin, shëndet dhe mbarësi në familje.