Nga i ashtuquajturi “Grupi i Zjarrit”, brenda BDI-së, kanë reaguar pas shkarkimit të disa zyrtarëve nga kjo parti politike. Nga atje thonë se treni i Artan Grubit dhe kërcënimi i drejtpërdrejtë për eliminimin politik të gjithë atyre që mendojnë ndryshe brenda BDI-së, u realizua në mënyrën më brutale të mundshme, njëjtë siç shkarkoheshin brenda nate “të papërshtatshmit” në sistemin monist.
“Dallimi ekziston se këto shkarkime të iniciuara nga inatet e Artan Grubit, u paralajmëruan nga megafonat e tij, portalet shpifëse, të korruptuara me paratë e qytetarëve që asnjëherë nuk e votuan Grubin. Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani një kuadër model i BDI-së që solli sa e sa fitore në Gostivarin e humbur me kampanjën SRMN të Artan Grubit, u shkarkua pa asnjë vërejtje në detyrën e tij. Resmi Ejupi, Adnan Ejup, shumë drejtorë klinikash, siç janë Alajdin Memedi, Besim Koka, Aziz Maksuti, Qamil Kovaçi, pastaj Fikri Aliti, Migjen Selmani, Nehat Nuhiu, Ajrulla Mustafa e të tjerë, u shkarkuan vetëm pse menduan ndryshe, pa asnjë arsye për lëshime eventuale në detyrat e tyre”, shkruan në komunikatën e Grupit të Zjarrit.
Nga atje shtojnë se të gjithë ata kishin një qëllim, demokratizimin e BDI-së dhe krijimin e ambientit për konfrontim idesh dhe jo krijimin e përçarjes mes bashkëpartiakëve, që bëri Grubi, për të shpëtua karrigen e tij të pamerituar.
“Të gjithë kemi alarmuar me kohë se Grubi ka për synim ta shkatërrojë BDI-në nga brenda, punon për ambiciet e tij të çmendura, në dëm të gjitha proceseve ndaj popullit shqiptar në Maqedoni dhe në rajon”, nënvizojnë nga atje.
Në fund ata drejtojnë një mesazh deri te Grubi ku thonë se këta njerëz në foto i shkarkove, por ti ku do të shkosh kur do të shkarkohesh nga votuesi shqiptar?