Kumanovë, 4 mars – Ditë më parë ajo doli në pension. E sot ekipi i Open-TV i shkoi për vizitë mësueses Hyrije Osmani nga Kumanova. Ajo na mirëpriti me shumë dashamirësi dhe gëzim.
Në një intervistë për Open-TV, mësuesja Hyrije rrëfeu për rrugëtimin e saj për më shumë tre dekada si mësuese dhe tregoi se kush ndikoi që ajo të futet në arsim.
“Rrugëtimi im në arsim para 35 viteve nuk ka qenë aq i lehtë për arsye sepse fillimisht ky nuk ishte profesioni që dëshiroja ta bëj, sepse asokohe ëndërra ime ishte fakulteti juridik, mirëpo për shkak të kushteve të vështira ekonomike braktisa juridikun dhe u kyça në fakultetin pedagogjik”, tha ajo.
Mësuesja tregoi se kishte mbështetjen maksimale nga familja e saj qysh në fillimet e karrierës.
“Mbështetjen më të madhe e kam pasur nga motrat e mija, njëra ka të kryer fakultetin pedagogjik, ndërsa tjetra është biologe e diplomuar. Falë ndihmës së tyre brenda dy viteve e kreva me sukses fakultetin”, shtoi mësuesja Hyrije.
Nga ana tjetër, përpos probleme financiare, ajo u përball edhe me regjimin e atëhershëm.
“Unë rrjedh nga një familje atëdhetare e cila ka qenë e persekutuar dhe e shtypur nga ana e regjimit të atëhershëm, ku si fillim xhaxhai im Nuredin Iseni si një patriot ka qenë viktim në vitin 1944 në Masakrën e Sopotit, i cili gjendet në mesin e 64 të masakruarve”, theksoi mësuesja.
Ndër të tjera, ajo tha se pavarësisht analfabetizmit të asokohe, prindërit e saj i dhanë mbështetjen maksimale në çdo kohë.
Në videon e mëposhtme mund ta ndiqni intervistën e gazetares Anëmsha Shabani me mësuesen Hyrije Iseni Osmani për Open-TV.