Në palestrën sportive “Shaban Tërstena” në Çair nisi Universiada Mbarëkombëtare “Çair 2026”, e cila bashkon studentë dhe ekipe universitare nga Shkupi, Tetova, Prishtina, Tirana dhe Vlora.
Të pranishmëve në këtë ngjarje sportive iu drejtua edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, duke vënë në pah rolin e sportit në forcimin e bashkëpunimit dhe lidhjeve ndërmjet të rinjve nga trevat shqiptare.
Kryetari Mexhiti nënvizoi se investimet në infrastrukturën sportive krijojnë mundësi për organizimin e garave dhe aktiviteteve që bashkojnë studentët, duke nxitur miqësi dhe bashkëpunime afatgjata.
Ai shprehu mirënjohje për Universitetin “Nënë Tereza”, Këshillin Organizativ, si dhe universitetet dhe federatat pjesëmarrëse nga Kosova dhe Shqipëria, duke theksuar rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit ndëruniversitar përmes aktiviteteve të përbashkëta sportive.







