Sektori për Parandalim pranë SPB Kumanovë ka realizuar një fushatë parandaluese me rastin e fillimit të sezonit dimëror, duke rikujtuar drejtuesit e automjeteve për detyrimin ligjor të posedimit të pajisjeve dimërore, raporton tvfesta.mk
Sezoni dimëror ka filluar më 15 nëntor dhe do të zgjasë deri më 15 mars të vitit të ardhshëm, periudhë gjatë së cilës të gjitha automjetet që marrin pjesë në komunikacion duhet të jenë të pajisura me pajisjet e përcaktuara me ligj për kushtet dimërore.
Nga policia rikujtojnë se drejtuesit e automjeteve duhet të sigurojnë goma të përshtatshme për sezonin dimëror dhe zinxhirë për borë, sipas kërkesave ligjore dhe kushteve të rrugës.
Në kuadër të fushatës, shoferëve u rekomandohet që të kontrollojnë rregullisht nivelin e antifrizit, presionin e gomave, vajin e motorit dhe gjendjen e akumulatorit. Gjithashtu, këshillohet që automjetet të kenë gjithmonë sasi të mjaftueshme të lëngut për pastrimin e xhamit të përparmë.
Shefja e Sektorit për Parandalim, Lile Mladenovska, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë detyrimet ligjore, pavarësisht nëse qarkullojnë në rrugët e qytetit apo në akset ndërkombëtare.
Ajo theksoi se rëndësi të veçantë ka përshtatja e shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, sidomos gjatë ngricave, mjegullës, dukshmërisë së kufizuar dhe reshjeve të shiut apo borës.
Qëllimi i kësaj fushate është rritja e ndërgjegjësimit të shoferëve për përgatitjen në kohë të automjeteve për kushtet dimërore, si dhe përmirësimi i sigurisë në komunikacion.
Nga SPB Kumanovë theksojnë se respektimi i rregullave dhe kujdesi i shtuar gjatë drejtimit të automjeteve mund të kontribuojnë në parandalimin e aksidenteve rrugore dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve. /tvfesta










